Ditën e djeshme u vra në Serbi, Faton Hajrizi.
Ai ishte në kërkim për gati 40 orë, nga policia atje si i dyshuar për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të tij.
Sipas mediave serbe, Hajrizit nga vendi ku ndodhi rasti e deri tek fabrika e braktisur, ku u strehua, iu deshën 2 orë e 44 minuta që të shkonte.
Distanca prej vendit ku u vra polici serb dhe kësaj fabrike raportohet se është 11.4 kilometra.
Siç raporton Gazeta beogradase “Blic”, te kjo fabrikë Hajrizi kishte qëndruar vetëm deri dje në mëngjes dhe pastaj u largua.
“Iu deshën 2 orë e 44 minuta për të arritur në strehën e tij, ku u fsheh deri në mëngjes, kur u nis gjoja në kërkim të një rruge shpëtimi”, shkruan ky medium.
Citohet edhe deklarata e një banori të fshatit, i cili ka thënë se pasi i kishte pyetur diçka, ishte nisur në drejtim të vendit ku u vra.
“Mbrëmë djali im vuri re se diçka po ndodhte. Qentë lehin, por ai nuk gjuajti. Ndoshta që të mos e dëgjonin. Ai e pyeti kunatin tim se cili është rruga për në Banjën e Koviljaçës. Nuk dinte serbisht. Kuptuam vetëm “faleminderit” dhe “Mali i Zi”. Më pas kuptuam se çfarë po na kërkonte. Mbi krahun e tij kishte veshur një xhaketë lëkure. Ai ndoshta kishte një armë në atë dorë. Ai po shkonte tatëpjetë, në drejtim të vendit ku sulmoi policinë dhe ku u qëllua ‘– citohet të ketë thënë ky banor i zonës.
Tutje, Blici serb raporton se Hajrizi ka qenë duke vrapuar nëpër rrugë kur ka ardhur një veturë e policisë serbe dhe ai ka qëlluar në të.