Mjeku Ermal Pashaj, nga protesta para Kryeministrisë, ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si po reagon ndaj pakënaqësisë së qytetarëve. Sipas tij, shqiptarët nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet dhe zgjidhje konkrete për problemet e tyre.
“Edhe pse jemi në mes të Europës, do të duhet të kishim një reagim europian nga qeveria. Kryeministri ynë ka disa kohë që po tenton të futet në rrobat tona, për të marrë narrativën tonë, por nuk po ia arrin dot. Nxjerr artikuj të kota. Kjo fasadë nuk i kulmon më ekzigjencat tona të përditshme. Duket sikur po kërkojmë kushedi se çfarë, por po kërkojmë dinjitetin tonë. Kam përshtypjet se zoti kryeministër nuk e ka idenë se ku bie dhe ku mund të imagjinohet.”, tha mjeku.
Pashaj tha se duhet të gjenden zgjidhje konkrete dhe paralajmëroi se përçarja mes qytetarëve nuk duhet të lejohet.
“Duhet të japim zgjidhje. Është futur dhe përçarje mes nesh. Nuk duhet të ndodhë. Duhet të reagojmë ndaj lakut në fyt që po na vë qeveria. Legjislacioni shqiptar është i hapur për të aplikuar. Zgjidhjet vijnë nga pakënaqësitë. Shkollimi është përgjigjja.”, pohoi Pashaj.
Duke iu referuar deklaratave të fundit të kryeministrit për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla, mjeku e cilësoi këtë si një tjetër premtim që, sipas tij, nuk adreson problemet reale të qytetarëve.
“Pak ditë më parë kryeministri tha se do të futej inteligjenca artificiale dhe në shkolla! Çfarë do të thoni me këtë? Nuk e bëni dot këtë gjë me shqiptarët. Nuk i ham këto patate të nxehta për lëmoshë. Ju hidhni një kockë, por jo! E pamë kur lançuat besën. Mbani shënime me fletore boshë. Nuk pinë më ujë këto gjëra boshe.”, tha ai.
The post “Duam Republikë, jo klikë!”/ Mjeku i njohur i ashpër me Ramën nga protesta: Fasada nuk e mbulon më realitetin, shqiptarët nuk mashtrohen me kocka e premtime boshe! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



