Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Minuta e Parë” me gazetaren Ola Bruko, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar denoncime të forta lidhur me shpërdorimin e fondeve publike dhe tjetërsimin e pronave të shtetit. Ahmetaj garantoi publikun për autenticitetin e plotë të audio-përgjimeve të publikuara së fundmi.
Pjesa më tronditëse e deklaratës së tij u fokusua te devijimi i parave të destinuara për shërbimet më me rëndësi vital, siç është spitali Onkologjik. Ahmetaj zbuloi se këto fonde publike, bashkë me burime të tjera shtetërore, janë përdorur për të financuar luksin e qeverisë, përfshirë koncertin e artistit Kanye West dhe ndërtimin e një kopshti “Eden” me vlerë 4 milionë euro brenda godinës së Kryeministrisë.
Sipas Ahmetajt, brenda këtij kopshti luksoz është vendosur edhe një peshk i rralle japonez, ku kryeministri shkon “për t’u çliruar nga makthet e tij se nuk ka shitur ende të gjithë Shqipërinë”. Ai vuri në dukje se në asnjë prej kancelarive më të zhvilluara moderne perëndimore nuk ekzistojnë projekte të tilla ekstravagante, veçanërisht në një kohë kur sektori i shëndetësisë dhe qytetarët shqiptarë po përballen me vështirësi të shumta.
Përveç denoncimit të investimeve luksoze, Ahmetaj kritikoi me tone të ashpra mënyrën se si po trajtohet grupi parlamentar i shumicës. Ai deklaroi se kryeministri po përpiqet t’u heqë deputetëve çdo përgjegjësi publike, fytyrë e ndërgjegje, duke i kthyer ata në thjesht “duar të ngritura” që shërbejnë për të miratuar vendime në dobi të njerëzve të afërt të pushtetit, si Belinda Balluku, Roni Yeffet apo figura të tjera.
Lidhur me qëndrimet e tij gjatë kohës që shërbej në ekzekutiv, Ahmetaj kujtoi se ka kundërshtuar me forcë fenomene si kanabizimi i vendit dhe është përpjekur të ndërtojë korniza ligjore që largonin tenderat nga Zyra e Kryeministrit. Ai paralajmëroi se pas sulmit ndaj medias News24 dhe kalimit të godinës te ndërmarrja ushtarake “KAYO”, e njëjta skemë po përgatitet të zbatohet edhe në sektorin e shëndetësisë.
Në përmbyllje, ish-numri dy i qeverisë iu drejtua drejtpërdrejt deputetëve të mazhorancës duke u kërkuar të mos e votojnë këtë nismë, të cilën e cilësoi si një aferë të pastër kriminale që cënon drejtpërdrejt interesin publik.
The post Ahmetaj “godet” Ramën: Paratë e Onkologjikut shkuan për kopshtin “Eden” që kreu i organizatës të çlirohet nga makthet te peshku japonez appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



