Shkruan: Ali Maskan
Edhe pse logjika mbi të cilën është ndërtuar sistemi ndërkombëtar mbetet në thelb e njëjtë, mënyra se si ajo shfaqet po merr një dimension të ri. Bota e shekullit XX ishte ndërtuar kryesisht përmes blloqeve dhe poleve. Shtetet grumbulloheshin rreth qendrave të caktuara, aleancat krijonin kufij dhe politika ndërkombëtare interpretohej kryesisht përmes ndarjes midis “nesh” dhe “atyre”. Sistemi i Luftës së Ftohtë, i formësuar rreth NATO-s dhe Paktit të Varshavës, ishte shembulli më i qartë i kësaj strukture.
Në shekullin XXI, ndërkaq, po shfaqet një strukturë tjetër. Një shtet mund të jetë njëkohësisht pjesë e NATO-s, botës islame, botës turke, Europës, sistemit ekonomik kinez dhe organizatave të ndryshme rajonale. Në një botë të tillë, bëhet gjithnjë e më e vështirë që shtetet të përkufizohen vetëm si pjesë e një poli të vetëm. Ndoshta pyetja themelore e sistemit të ri nuk është më “Në anën e kujt je?”, por “Me cilat rrjete (organizata) je aleancë?”
Kjo për arsyeja që gjersa polet priren të përjashtojnë njëri-tjetrin, rrjetet mund të kryqëzohen dhe të ndërthuren. Për këtë arsye, sistemi i ri ndërkombëtar mund të kuptohet më mirë jo thjesht si një botë klasike shumëpolare, por si një sistem i shumëqendërsisë dhe ndërlidhshmërisë.
Meka dhe Abrahami: shfaqja e dy rrjeteve
Në shikim të parë, Meka dhe Marrëveshjet Abrahamike mund të duken sikur përfaqësojnë dy blloqe të ndryshme, madje edhe të kundërta, por nëse i shohim nga afër, do të vërejmë se të dyja prekin shtresa të ndryshme të së njëjtës kujtesë qytetëruese.
Meka nuk duhet parë këtu vetëm si një qytet, por si një nyje qytetëruese që bashkon kujtesën historike të botës islame. Në mënyrë të ngjashme, pejgamberi Ibrahimi a.s. është një nga figurat themelore të kujtesës së përbashkët të shoqërive hebraike, të krishtera dhe myslimane.
Prandaj, Mekën dhe Abrahamin mund të mos i lexojmë si dy linja krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra, por si dy pika lidhëse të së njëjtës hapësirë qytetëruese, të shtrira në drejtime të ndryshme.
Pyetja kryesore këtu është nëse dy prirje që sot perceptohen si të zhvilluara në drejtime të ndryshme, në të ardhmen mund të kryqëzohen me njëra-tjetrën.
Të pranosh paraprakisht se një zhvillim që është i mundshëm matematikisht është i pamundur sociologjikisht, do të thotë ta kufizosh së tepërmi aftësinë e politikës ndërkombëtare për t’u transformuar.
Ndoshta mënyra për të kuptuar të ardhmen e sistemit ndërkombëtar qëndron pikërisht te përpjekja për të menduar se në çfarë kushtesh rrjetet që sot duken të largëta nga njëri-tjetri mund të kenë bashkëpunime dhe të ndërthuren në të ardhmen.
Turqit dhe hebrenjtë: dy histori të ndryshme të ndërlidhshmërisë
Për të kuptuar sistemin ndërkombëtar të ditëve të sotme, përvojat historike të turqve dhe hebrenjve kanë një rëndësi të veçantë. Çështja këtu nuk ka të bëjë me ndonjë pretendim për “epërsi” apo “popull të zgjedhur”. Thelbi qëndron te mënyrat e ndryshme përmes të cilave këto dy shoqëri, kanë ndërtuar dhe ruajtur lidhjet me botën përgjatë historisë.
Përvoja historike e turqve mund të lexohet në masë të madhe përmes lëvizshmërisë ndërmjet hapësirave gjeografike dhe aftësisë për të lidhur fusha të ndryshme politike me njëra-tjetrën. Bota turke ka krijuar një hapësirë historike jashtëzakonisht të gjerë, e cila shtrihet nga Azia në Anadoll, nga Ballkani në Kaukaz dhe nga Lindja e Mesme deri në Afrikë.
Në përvojën historike të hebrenjve, ndërkaq, na del në pah një formë tjetër e ndërlidhshmërisë: aftësia për të ruajtur vazhdimësinë historike dhe kulturore, por duke jetuar në hapësira të ndryshme gjeografike.
Prandaj, teorikisht mund të bëjmë një dallim: turqit mund të përfaqësojnë ndërlidhshmërinë përmes lëvizjes, ndërsa hebrenjtë përmes vazhdimësisë.
Ky dallim mund të ndihmojë gjithashtu për të shpjeguar pse Turqia dhe Izraeli nuk duhet të analizohen vetëm brenda hapësirave të tyre gjeografike.
Të dyja shoqëritë, kanë karakteristika që u mundësojnë të ndërtojnë lidhje ndërmjet hapësirave të ndryshme historike, kulturore dhe ekonomike. Marrëdhëniet e Izraelit me Europën, Shtetet e Bashkuara, diasporën hebraike në mbarë botën, si dhe me rrjetet e teknologjisë dhe të financave, e bëjnë të vështirë përkufizimin e saj, vetëm si një shtet i Lindjes së Mesme.
Në të njëjtën mënyrë, pozicioni i Turqisë ndërmjet botës turke, botës islame dhe boshteve aziatike, evropiane dhe atlantike e tejkalon përkufizimin klasik të saj, si një shtet thjesht rajonal.
Në këtë pikë merr rëndësi koncepti i përkatësisë shumë-shtresore. Për këtë arsye, fakti që Kazakistani vendos marrëdhënie me rrjetin e Marrëveshjeve të Abrahamit, apo që disa shtete anëtare të Organizatës së Shteteve Turke njohin Republikën e Qipros Greke, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato po largohen nga Turqia.
Turqia është pjesë e NATO-s, ku gjithashtu ndërvepron me Bashkimin Europian dhe me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, ndërkohë që në të njëjtën kohë është pjesë e rrjeteve të ndryshme të botës turke dhe asaj islame. Pra, pjesëmarrja e një shteti në një rrjet nuk e detyron atë të qëndrojë jashtë një rrjeti tjetër. Ky është ndoshta ndryshimi më i rëndësishëm ndërmjet epokës së poleve dhe epokës së ndërlidhshmërisë.
Turqia nuk është një pol, por një qendër lidhëse
Nga kjo perspektivë, edhe roli i Turqisë duhet të rishikohet. Në vend që Turqia, të shihet si një nga polet e reja që po shfaqen në botë, do të ishte më e saktë të konsiderohej si një qendër lidhëse ku kryqëzohen rrjete të ndryshme.
Ajo që e bën Turqinë të rëndësishme në sistemin e ri ndërkombëtar është pikërisht kapaciteti i saj për të lidhur ndërmjet tyre vija të ndryshme të tensionit dhe hapësira të ndryshme gjeopolitike.
Izraeli gjithashtu zotëron një aftësi të konsiderueshme për krijimin dhe aktivizimin e rrjeteve. Pikërisht kjo aftësi i shtyn të dyja vendet të ecin në të njëjtën fushë, të konkurrojnë dhe, ndoshta, edhe të përballen me njëra-tjetrën.
Prandaj, konkurrenca ndërmjet Turqisë dhe Izraelit nuk duhet parë vetëm si një luftë për ndikim rajonal. Ajo mund të lexohet edhe si një përpjekje për të krijuar rrjete të reja lidhëse, duke bashkuar gjeografi, aktorë dhe fusha të ndryshme interesi.
Në fund të fundit, koha do të tregojë se në çfarë paradigme do të shndërrohet kjo përplasje mbi shiritin e Mobius-it.
Mesopotamia: Jo skena e sistemit, por qendra e mendimit të saj intelektual
Hapësira e gjerë e Mesopotamisë, të cilën mund ta konceptojmë duke përfshirë edhe Egjiptin, është një nga trevat ku u shfaqën qytetërimet më të lashta të njerëzimit dhe format e para të mëdha të organizimit politik. Për këtë arsye, Mesopotamia e gjerë nuk është vetëm një hapësirë gjeografike e së kaluarës, por edhe një nga qendrat më të rëndësishme të kujtesës njerëzore për mënyrën se si ndërtohen sistemet shoqërore dhe politike.
Sot, kur njerëzimi kërkon të ardhmen e saj tek inteligjenca artificiale, hapësira kozmike, ekonomia digjitale dhe teknologjitë e avancuara, është e mundur që burimet e mendimit intelektual mbi drejtimin në të cilin do të ndërtohet kjo e ardhme, të kërkohen sërish në trevat e qytetërimeve më të lashta të Mesopotamisë.
Në këtë rast, Mesopotamia, mund të shndërrohet sërish në një qendër të rëndësishme të botës. Rikthimi i saj në një qendër botërore, këtë herë nuk do të jetë vetëm në kuptimin ushtarak apo ekonomik, por si një qendër nga e cila mund të konceptohet dhe të riformësohet rendi i ri botëror.
Fakti që Mesopotamia e gjerë, mund të bëhet një qendër, nuk do të thotë se të gjitha konfliktet e botës do të zhvillohen pikërisht këtu. Përkundrazi, nëse sistemi i ri ndërtohet përmes rrjeteve, atëherë qendra teorike e sistemit dhe hapësirat ku zhvillohen përplasjet konkrete mund të jenë të ndryshme.
Një krizë në Azinë Juglindore, një rivalitet në Turkistan, një konflikt në Afrikë apo tensionet në marrëdhëniet Indi-Pakistan nuk do të jenë plotësisht të pavarura nga rrjetet që lidhen me Mesopotaminë.
Për këtë arsye, Mesopotamia, mund të shërbejë si qendër e mendimit intelektual dhe qytetëruese e sistemit të ri, ndërsa pjesa tjetër e botës mund të shndërrohet në hapësirën, ku ky sistem zbatohet dhe merr formë konkrete.
Konflikti i së ardhmes: Shtetet apo rrjetet?
Pranimi i logjikës së ndërlidhjes mund të ndryshojë edhe vetë natyrën e konflikteve. Konfliktet kryesore të shekullit XX u zhvilluan kryesisht në formën e përplasjeve shtet-shtet ose bllok-bllok.
Në të ardhmen, megjithatë, beteja kryesore mund të lidhet me pyetjen se cili rrjet do të zgjerohet, cili rrjet do të bashkohet me një rrjet tjetër dhe se në cilat rrjete mund të marrë pjesë një shtet njëkohësisht.
Në këtë realitet, një shtet mund të jetë aleat në një rrjet dhe rival në një tjetër. I njëjti shtet mund të jetë pjesë, në kombinime të ndryshme, e rrjeteve ekonomike, ushtarake, kulturore dhe qytetëruese.
Kjo situatë do ta transformonte edhe konceptin klasik të aleancave. Sepse kryqëzimi i rrjeteve nuk prodhon vetëm konflikte: ai krijon edhe mundësi për dialog dhe marrëveshje.
Ndoshta dy shtete nuk do të kenë marrëdhënie me njëri-tjetrin vetëm sepse i përkasin të njëjtit rrjet, por pikërisht sepse ndodhen në pikën e kryqëzimit të rrjeteve të ndryshme.
Në këtë mënyrë, politika ndërkombëtare e së ardhmes mund të kuptohet më lehtë jo përmes pyetjes: “Në cilin bllok ndodhet secili shtet?”
por përmes një pyetjeje tjetër: “Në kryqëzimin e cilave rrjete ndodhet ky shtet?”
Përfundim: Pyetja e botës së re
Nëse sistemin ndërkombëtar e analizojmë nga kjo perspektivë, Marrëveshjet e Mekës dhe Marrëveshjet e Abrahamit mund të mos shihen si dy zhvillime politike krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra, por si dy pikënisje të ndryshme të një transformimi shumë më të gjerë.
Edhe pse Turqia dhe Izraeli e kanë përcaktuar qartë pozicionin e tyre brenda këtyre rrjeteve, ato janë dy shtete, me fuqinë dhe kapacitetin për të ndërthurur, bashkërenduar dhe kryqëzuar rrjete të ndryshme brenda kësaj strukture të ndërlidhur.
Këto rrjete, të shtrira në një hapësirë të gjerë gjeografike nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, kanë filluar tashmë të ndërthurin brenda tyre, me lehtësi dhe pa shumë pengesa, struktura aleancash që në pamje të parë mund të duken sikur janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Një botë e tillë nuk do të jetë një botë shumëpolare në kuptimin klasik të këtij koncepti. Përkundrazi, do të jetë një sistem ndërkombëtar shumëqendror, shumështresor dhe i ndërtuar mbi rrjete që kryqëzohen dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën.
Në këtë sistem, fuqia nuk do të nënkuptojë vetëm të jesh i madh apo të kesh një forcë të madhe. Fuqia do të nënkuptojë të jesh i ndërlidhur. Ndërkaq, pavarësia, nuk do të nënkuptojë të mos jesh i lidhur me askënd. Përkundrazi, ajo do të nënkuptojë aftësinë për t’u lidhur dhe për të bashkëpunuar njëkohësisht me aktorë, fusha dhe rrjete të ndryshme.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye, pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes kur mendojmë për të ardhmen nuk është: “Kush do të jetë lideri i botës së re?”




