Metin Izeti
Kur tempulli i mendimit pushtohet nga tregtarët e moralit të kalbur, rënia e një shoqërie nuk vjen si një bubullimë e menjëhershme, por si një gërryerje e heshtur dhe e padukshme – një proces që zhvillohet në shtresat më të thella të vetëdijes kolektive, ku gurthemeli i besimit të përbashkët shkërmoqet grimcë-grimcë. Tragjedia më e madhe e një qytetërimi nis atëherë kur idetë më sublime – feja, kombi, drita e së drejtës, dinjiteti dhe liria – shndërrohen në monedha kusuri në gojën e njerëzve të kompromituar. Këta arkitektë të zbrazëtisë, njerëz pa një bosht të brendshëm dhe pa identitet, flasin për yjet ndërsa me këmbët e tyre janë të zhytur në baltën e interesave meskine. Ata nuk janë as ndërtues e as shkatërrues të hapët; ata janë parazitë të fjalëve, që ushqehen me korpusin e shenjtë të gjuhës për ta lënë atë të zbrazët, si një frut i ngrënë nga brenda.
Kur një zë pa integritet merr përsipër të artikulojë të vërtetën, fjala humb peshën e saj; ajo zhvishet nga shpirti dhe shndërrohet në një jehonë të zbrazët. Ideja e lartë, e parë përmes pasqyrës së tyre të deformuar, nuk ndriçon më, por verbon dhe mashtron. Shoqëria fillon të kalbet nga brenda sepse gjuha vdes para se të vdesin njerëzit: fjalët më të shenjta përdoren për të mbuluar veprat më të ulëta. Dhe në këtë vdekje të gjuhës fshihet një ironi e hidhur: ndërsa ato fjalë përdoren pafund në skena publike, ato humbasin çdo lidhje me përvojën e gjallë, duke u kthyer në etiketa bosh që ngjiten mbi çdo realitet, pa e prekur kurrë.
Në këtë teatër të hijeve, ndodh një tjetër iluzion dramatik: konfuzioni fatal midis informatës dhe së vërtetës. Shoqëria mbytet në një det të pafundëm të dhënash, por vuan nga uria për kuptim. Informatat janë thjesht pluhur i mbledhur në udhëkryqet e kohës; ato janë sipërfaqja e ujit, por jo thellësia e oqeanit. E vërteta kërkon brendësi, përjetim dhe integritet; ndërsa informata është shpesh thjesht zhurmë e papërpunuar që përdoret për të ushqyer mendjet e lodhura – një ushqim që ngop pa ushqyer, sikur të ushqehesh me rërë. Dhe në këtë vërshim të të dhënave, humbet arti i ndalimit, i reflektimit, i të qënit i vetëm me pyetjen. Mendja modernizohet aq shpejt sa harron të mendojë; ajo përpunon, por nuk kupton; përsërit, por nuk përjeton.
Mbi këtë ushqim të varfër mendor, njerëzit e paidentitet ndërtojnë me artificialitet kështjella prej rëre: imazhet e rreme dhe imagjinare. Ata formësojnë silueta me shkëlqim artificial, duke krijuar heronj pa kauzë dhe ideale pa rrënjë. Këto imazhe të prodhuara në fabrikën e iluzioneve u paraqiten masave si themeltare, si të vetmet gjëra me rëndësi. Përmes këtij mekanizmi, ajo që është dytësore ngrihet në altar, ndërsa ajo që është thelbësore thërrmohet në harresë. Kështu, vëmendja publike shpenzohet për shkëlqimin sipërfaqësor, ndërsa themelet e etikës, të solidaritetit dhe të së vërtetës objektive gërryhen në heshtje, pa asnjë ceremoni vajtimi.
Shoqëria bie në një gjendje hipnoze kolektive: kur e vërteta zëvendësohet nga imazhi, dhe urtësia nga informata e zbrazët, njeriu pushon së qeni subjekt i historisë së vet dhe shndërrohet në spektator të rënies së vetvetes. Ai shikon, komenton, por nuk vepron më si qenie e lirë; ai lëviz sipas ritmit të iluzioneve, duke menduar se po zgjedh, ndërsa në fakt po përsërit një skenar të shkruar nga të tjerë. Ky është shkatërrimi i plotë: jo kur muret e qytetit shemben, por kur humbet aftësia për të dalluar dritën e diellit nga shkëlqimi i një zjarri mashtrues – kur syri nuk di më të qajë për të vërtetën, dhe vesi vishet me petkun e virtytit pa ngjallur as neveri, as habi.
Dhe ndërsa kjo gërryerje përparon, ajo lë pas një peizazh të shkretë ku çdo fjalë mund të thotë çdo gjë, pra asgjë; ku çdo veprim justifikohet me një fjali të bukur, por pa asnjë peshë. Rilindja e mundshme e kësaj shoqërie nuk do të vijë nga shtimi i informacionit, por nga kthimi i guximshëm drejt heshtjes së brendshme, nga aftësia për të dëgjuar sërish zërin e qetë të ndërgjegjes, përpara se ajo të mbytet nga klithmat e tregut të moralit.
Sepse , ajo që shpëton një qytetërim nuk është sasia e fjalëve, por sinqeriteti i heshtjes – aty ku njeriu takohet me veten, pa maska, pa kursime, pa tregti.



