Nga Ermal Peçi
Ali Ahmeti është njeriu që ka dominuar skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut për më shumë se dy dekada. Ai ka qenë një faktor i padiskutueshëm i politikës shqiptare, jo vetëm për peshën që ka pasur në skenën politike, por edhe për historinë e tij në UÇK-në e vitit 2001.
Kam reaguar edhe më parë kur kontributi i tij në luftë është përdorur për ta goditur politikisht, shpesh përmes gjysmë të vërtetash. Historia duhet ndarë nga politika. Kontributi i Ahmetit në luftë është një kapitull i lavdishëm edhe meriton respekt, ndërsa performanca e tij politike është një tjetër, me uljet dhe ngritjet, sukseset dhe gabimet e veta.
Por sot pyetja nuk është më vetëm çfarë ka bërë Ali Ahmeti dhe kush do ta zëvendësojë atë në BDI.
Pyetja më interesante është: kush mund të jetë njeriu që do ta zëvendësojë atë si figurë dominuese të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
Në opozitë janë disa që kërkojnë stafetën e Ahmetit. Në BDI, Bujar Osmani ka ndërtuar një profil të fortë institucional dhe ndërkombëtar. Arben Taravari ka zgjedhur dhe kërkon të ndërtojë një profil politik që, në mënyrën e artikulimit dhe sjelljes politike, t’i përafrohet të ndjerit Arbër Xhaferit: më institucional, më racional dhe me përpjekjen për të krijuar një alternativë përtej retorikës së zakonshme.
Por unë mendoj se pyetja duhet parë nga një këndvështrim tjetër.Kush mund të bëjë atë që bëri Ali Ahmeti?
Jo kush mund të marrë karrigen e tij. Jo kush mund të drejtojë një parti. Por kush ka potencialin të ndërtojë një cikël të ri politik që mund të zgjasë 15 apo 20 vite?
Këtu del emri që duket më interesant: Izet Mexhiti.
Mexhiti nuk është thjesht një emër i dalë nga përplasjet e politikës shqiptare. Ai ka një avantazh që nuk blihet me deklarata dhe as me PR politikë: ai e ka provuar veten në terren. Ka qenë kryetar i Çairit, një nga zonat më të rëndësishme politike shqiptare në Shkup, dhe ka ndërtuar profilin e tij përmes betejave konkrete. Sot, si kryetar i VLEN-it dhe figurë e rëndësishme e qeverisjes, ai po përpiqet të konsolidojë një tjetër model politik.
Izet Mexhiti është një politikan që e njeh terrenin e vështirë politik në Maqedoninë e Veriut. Njeh njerëzit, njeh strukturat, njeh mënyrën se si fitohet një betejë politike. Ka fituar katër herë Çairin dhe është njohur si një njeri i fjalës. Mexhiti nuk është politikan i zhurmshëm. Nuk është showman. Por shpesh ka qenë ai që, pas zhurmës së të tjerëve, ka pasur fjalën e fundit dhe kjo është një cilësi që në politikë vlen shumë.
Mexhiti ka treguar zgjuarsi politike, durim dhe aftësi për të fituar beteja në terren. Nuk është një figurë që është ndërtuar vetëm përmes ekranit. Është ndërtuar përmes votës.
Beteja e fundit në Çair, ku u përball politikisht me Bujar Osmanin, është një tjetër tregues. Përtej rezultatit konkret, ajo tregoi se Mexhiti ka një bazë politike dhe një aftësi për të mobilizuar votën që nuk mund të injorohet.
Prandaj, sot diskutimi në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të zhvillohet vetëm për atë se kush do ta zëvendësojë Ali Ahmetin në BDI.
Duhet të flasim për pasuesin e tij në historinë e politikës shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Bujar Osmani mund të ketë diplomacinë. Taravari mund të ketë profilin opozitar. Por Mexhiti ka diçka që politika afatgjatë kërkon: instinktin e pushtetit dhe aftësinë për të fituar beteja.
Nëse Ali Ahmeti ka arritur të mbetet faktor për rreth 20 vite, sfida e vërtetë për çdo politikan shqiptar që vjen pas tij është të ndërtojë një politikë që nuk jeton vetëm nga një mandat, një parti apo një koalicion.
Duhet të krijojë një epokë dhe pikërisht këtu qëndron teza ime: Izet Mexhiti është politikani që nuk i është dhuruar asgjë por i ka fituar përmes betejave dhe prandaj duhet parë si një politikan me potencialin për të ndërtuar një cikël të ri politik. Ai duhet parë si njeriu që arrin të bëhet pika e re e gravitetit të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Koha ka treguar se pushteti politik nuk trashëgohet.
Fitohet dhe Izet Mexhiti, deri tani, ka treguar se di të fitojë.



