Fitim Nuhiu
Ka një paradoks që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në politikën e Maqedonisë së Veriut: Evropa vazhdon të vijë në Shkup, ndërsa Shkupi ende nuk po arrin të bindë plotësisht se është gati të ecë me të njëjtin ritëm drejt Evropës.
Më 2 tetor 2026, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Shkupin në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Mesazhi i Brukselit ishte i qartë: dera evropiane mbetet e hapur, por përpara kërkohen reforma, rezultate dhe përparim konkret. Komisioni Evropian e lidh këtë proces edhe me integrimin gradual të vendeve të rajonit dhe me zbatimin e reformave të mbështetura përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Shtrohet pyetja: A është problemi vetëm te Brukseli, apo edhe te ne?
Për vite me radhë, politika në Maqedoninë e Veriut e ka trajtuar integrimin evropian si një slogan elektoral. “Evropa, Evropa…” është përmendur në fjalime, konferenca, programe qeveritare dhe fushata politike. Por qytetari i zakonshëm nuk e mat Evropën me deklarata. Ai e mat me gjykatën, me administratën, me punësimin, me korrupsionin, me shkollën, me shërbimet publike dhe me mundësinë për të ndërtuar një jetë normale në vendin e tij.
Në shkurt të këtij viti, Komiteti i Stabilizim-Asociimit BE–Maqedoni e Veriut theksoi nevojën për përparim në reforma, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, administratën publike dhe reformën zgjedhore. Po ashtu, BE-ja e lidhi përparimin me përmbushjen e kushteve për hapjen e mëtejshme të procesit negociues. Pra, problemi nuk është mungesa e fjalëve, por distanca ndërmjet fjalëve dhe rezultateve.
Në korrik, Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, deklaroi se vendi kishte treguar se mund të përmbushë në kohë pjesë të rëndësishme të Agjendës së Reformave. Në atë kohë, vendi kishte marrë 142.1 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, si rezultat i progresit në përmbushjen e reformave të përcaktuara. Kjo është pjesa që shpesh humbet në debatin tonë politik, Evropa nuk është vetëm destinacion, por mënyrë funksionimi. Nëse duam të hyjmë në Bashkimin Evropian vetëm për fondet, lëvizjen, tregun dhe mundësitë ekonomike, por pa ndërtuar institucione që funksionojnë sipas standardeve evropiane, atëherë kemi kuptuar vetëm gjysmën e projektit.
Nga ana tjetër, edhe Bashkimi Evropian nuk mund të sillet sikur procesi i zgjerimit është thjesht një provim që kandidatët duhet ta kalojnë. Vetë BE-ja po diskuton mënyrën se si do të funksionojë një Union më i madh dhe si mund të realizohet integrimi gradual i vendeve kandidate në fusha si mbrojtja, energjia dhe transporti.
Një dokument i Komisionit Evropian i raportuar së fundmi nga Reuters sugjeron pikërisht një qasje më të strukturuar ndaj integrimit gradual përpara anëtarësimit të plotë. Kjo do të thotë se edhe Evropa po ndryshon, prandaj edhe Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë mënyrën se si e sheh veten në këtë proces.
Nuk mjafton më të presim një datë, të presim një deklaratë nga Brukseli, të fajësojmë një shtet tjetër, një parti tjetër apo një qeveri tjetër për çdo ngecje. Një vend mund të ketë pengesa reale politike dhe diplomatike, por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë e tij për të ndërtuar institucione më të forta. Evropa nuk fillon në kufirin e Bashkimit Evropian, ajo fillon në mënyrën se si funksionon shteti, kur një qytetar nuk ka nevojë të njohë dikë për të zgjidhur një problem, kur drejtësia nuk perceptohet si privilegj i të fuqishmëve, kur administrata publike nuk është pronë e partive, kur një i ri nuk e sheh largimin nga vendi si të vetmen formë të suksesit. Kjo është arsyeja pse vizita e von der Leyen në Shkup duhet parë jo vetëm si një ngjarje diplomatike. Ajo mund të shihet edhe si një moment reflektimi politik. Brukseli mund të vijë në Shkup, mund të sjellë fonde, mund të ofrojë programe, mund të hapë mundësi për integrim gradual, por askush nga Brukseli nuk mund t’i bëjë reformat në vend të Shkupit.
Ne, sot nuk duhet ta pyesim veten se:“Kur do të hyjmë në Evropë?”, por “Sa Evropë kemi arritur të ndërtojmë këtu ku jetojmë?” Sepse anëtarësimi është një datë, por shteti funksional është një proces dhe qytetarët nuk mund të presin pafundësisht që e ardhmja evropiane të fillojë nesër, ndoshta ajo duhet të fillojë sot.



