Një 35-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Itali. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për shtetasin Ferdinant Hoti, i cili u gjet i pajetë në një makinë të zhytur në lumin Tergola.
Sipas raportimeve të mediave në Itali, i riu shqiptar në momentin kur është vrarë i kishte duart e lidhura, ndërkohë nga hetimet dyshohet se ai mund të jetë ekzekutuar për prishje të pazareve të drogës. Hetuesit dyshojnë se shqiptari mund të jetë vrarë në një tjetër vend dhe më pas trupi i tij është transportuar për t’u fshehur.
Kamerat mund të zbulojnë bashkëpunëtorët
Karabinierët po përpiqen të rindërtojnë itinerarin që ka ndjekur makinën Fiat Bravo përpara se të mbërrinte në pikën ku u fundos nw lumw.
Përveç leximit të targave, kamerat mund të ndihmojnë në identifikimin e automjeteve që kanë lëvizur në të njëjtën rrugë.
Hetuesit po verifikojnë nëse një automjet i dytë është shfaqur vazhdimisht përpara ose pas Fiat Bravo-s. Ky mjet mund të ketë shërbyer për transportin ose largimin e autorëve pasi makina me trupin e viktimës u shty në kanal.
Për hetuesit, është e vështirë që ngjarja të jetë kryer vetëm nga një person. Personi që drejtoi makinën deri te kanali do të duhej të kishte një mënyrë tjetër për t’u larguar shpejt nga zona.
Misteri i Fiat Bravo-s
Një tjetër pikëpyetje lidhet me automjetin e përdorur për të transportuar trupin.
Fiat Bravo nuk ishte në pronësi të viktimës. Automjeti rezulton i regjistruar në emër të një shtetasi italian, banues në zonën e Venecias, i cili, sipas hetuesve ka deklaruar se makina nuk i ishte vjedhur.
Kjo ngre disa pyetje: Kush e kishte në dispozicion automjetin? Si përfundoi në duart e autorëve? Çfarë lidhjeje kishte pronari me Hotin dhe me personat që mund ta kenë vrarë?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve, së bashku me analizimin e kamerave dhe rindërtimin e orëve të fundit të jetës së 35-vjeçarit, pritet të ndihmojnë hetuesit për të zbardhur autorët dhe motivin e vrasjes.
Pista e larjes së hesapeve për drogën mbetet një nga hipotezat që po hetohet, por autoritetet italiane nuk kanë përjashtuar ende pista të tjera./bw
The post EMRI- I lidhën duart dhe e qëlluan me armë, ekzekutohet 35-vjeçari shqiptar në Itali, dyshohet për prishjen e pazareve të drogës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



