Nga Andi Bushati
Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”.
Dalja në plan të parë e një biznesmeni kontrovers si Ron Yeffet (ky është emri i përdorur më shumë nga milioneri hebre), që deri më tani njihej vetëm në korridoret e errëta të pushtetit, ka njollosur edhe më shumë kontratën e re të Besës, që Edi Rama po kërkon të gëlltitet nga shqiptarët. Intervista e Çim Pekës me Arben Ahmetajn ka treguar edhe njëherë se, ndërkohë që bën përpjekje publike për kthimin e besimit të qytetarëve, kryeministri vepron në kulisa për ti ngulur thika pas shpine atyre.
Por, deri këtu kemi të bëjmë me një film të konsumuar. Ajo që është interesante e që lidhet me mënyrën propagandistike të Besës, si një orvatje për të shitur ëndërra të mëdha, është rruga që ndoqi Yeffet për tu promovuar, pasi u vendos projekti që atij ti faleshin pasuri publike.
Tani të gjithë e dinë me fakte se ky biznesmen që bënte para me republikat e bananeve në Afrikë, ishte një njohje e vjetër e Edi Ramës. Falë mikut kryeministër ai kishte dashur të negocionte borxhin e jashtëm të vendit, të rrëmbente truallin e ambasadës sonë në New York, apo të bëhej partneri i kompanisë tashmë të falimentuar, Air Albania. E megjithatë, interesante është të shihet se më ç‘kujdes u pergatit futja e tij në skenë.
Për më tepër se një vit, Edi Rama pompoi një sipërmarëse të re që kishte lënë Turqinë, për të vijuar ëndrrën e prodhimit të makinave në vendin e saj. Ai e ftoi atë në podkastin e vet “Flasim”, e bëri të tregojë fëmijërinë, adoleshencën familjen dhe Bulqizën prej nga vinte. Përkundi në sytë e publikut vegimin se, për herë të parë edhe në këtë tokë, ku dikur të kishte një veturë konsiderohej krim, tani do të prodhoheshin makina 100% “made in Albania”. Madje me një ceremonialitet teatral ai i tha Arietës që e dëgjonte si një kukull naive: “Unë do të vij të punoj falas si hamall në kompaninë tënde”. Mediat që marin urdhër u vunë të gjitha në punë për ti bërë reklamë një bjondineje të re, të cilës i kishte bërë porosi për karroceri ambulancash edhe vetë OKB-ja. Fabula e sipërmarëses që e shpie industrinë tonë në maja të paimagjinuara u vu në punë.
Po ç‘fshiej pas saj? Në pranverën e vitit 2025 qeveria mori vendim për të krijuar partneritet publik privat në fushën e mbrojtjes. Kompania shtetërore Kayo (regjizori ishte kujdesur edhe për emrat, duke evokuar atentatorin Kajo Karafili dhe per makinat emrin Shota, sipas gruas së Azem Galicës), u fut në marëdhënie për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët me Timak, të Arjeta Pucës. Kjo e fundit 80%, shteti vetëm 20%.
Në të njëjtën distancë të papërfilshme kohore Arieta Puca, pra sirena e industrisë ushtarake rilindase, e shiti për 500 euro, gjysmën e kompanisë së saj. Po kujt? Këtu del sërish në skenë Ron Yeffet. Me ato para xhepi ai bëhet atutomatikisht pronar i një 40 %-shi, që merr fonde nga buxheti i shtetit, por duke iu shmangur çdo lloj kontrolli, gare publike apo tenderi (e thotë edhe përgjatë përgjimit, si në Shqipëri po ashtu edhe në Afrikë: ai i urren ato).
Episodi i hapjes së perdes për të është një mizanskenë e kuruar me talent. Alibitë janë të gjitha gati: Krijimi i kompanisë të re nuk po bëhet me qëllim përfitimi personal, por për të furnizuar denjësisht ushtrinë shqiptare me armatim, madje edhe për ti rishitur ato si një aktor dinjitoz në tregun ndërkombëtar. Favori nuk po i bëhet një miku personal të Ramës, por po stimulohet një pioniere e afirmuar e indusrisë shqiptare të luftës. Në këtë skenar, ku regjizori i ka lënë Arieta Pucës një rol qëndror, ajo është në fakt vetëm idiotja e dobishme e fabulës. Ajo natyrisht mund të punojë dhe fitojë diçka, por i gjithë promovimi, shfaqja në podkast, jehona mediatike që e fryu historinë e suksesit të një emigranteje dhe përkundja e ëndrrës së futjes së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar luftarak, i shërben një tjetër qëllimi: dërgimin pa asnjë kontroll në duar të Ron Yeffet, të parave të buxhetit të shtetit.
Ky është, në fakt, thelbi i kësaj historie, të përsëritur me dhjetra herë këto 13 vjet, që nga ndërhyrja mbi Lazarat për të kanabizuar më pas gjith vendin, që nga “Fundi i marrëzisë”, për të kapur lojrat e fatit e deri fryrja e alarmit të plehrave në qytete për ti hapur rrugë inceneratorëve, apo përqëndrimi i tenderave te një strukture inovatore si AKSH, për ti kaluar realisht te Ergys Agasi.
Por, sa do i madh të ketë qenë dëmi apo gropa financiare e këtyre precedentëve, nga pikpamja e trillimit artistik, përdorimi i fabulës së Arietës, për ti hapur rrugën Ronit, nuk ka të krahasuar për nga gjenialiteti me paraardhëset. E duke thënë “Chapeau artiste” për këtë `fiction`, ndërsa rishikojmë episodet e tij, ne kuptojmë më mirë edhe devizën e rilindjes: Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet.
Kjo është metoda e konfirmuar e punës së ortakut besprerë të Ron Yeffet. E prandaj me të njëjtën logjikë duhet kërkuar edhe se ç‘qëndron pas platformës që ai po propogandon javët e fundit, me të madhe, para shqiptarëve. Mos ndoshta pas kësaj ëndërre me një besëlidhje të re qëndrojnë gropat që po përgatiten në shëndetësi dhe në përdorimin e teknologjisë së epokës post AKSH?
The post Ortaku besprerë i Ron Yeffetit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



