Këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, Leonora Jakupi, ka rrëfyer së fundmi për jetën e saj private duke ndarë për publikun detaje të padëgjuara më herët.
Gjatë një interviste për Canape, ajo tregoi një histori të saj gjatë periudhës së luftës dhe ndikimin që kishte pasur si artiste asokohe.
Jakupi tregoi që në atë periudhë ushtarë të UÇK-së i kërkonin një kopje të këngës ‘A vritet pafajësia’, një këngë që ka qenë simbol i lirisë dhe sakrificës dhe që edhe sot ka lënë gjurmë të mëdha.
“Në periudhën e luftës kur kam qenë në Shqipëri, një pjesë e konsiderueshme e ushtarëve vinin te banesa ku rrinim ne dhe kërkonin t’u bëja një kopje të këngës ‘A vritet pafajësia’, dhe të një posteri me fotografinë time dhe të niseshin për në luftë. Pas luftës mora informacione që një pjesë e tyre kanë rënë për liri, madje disa prej tyre iu janë gjet kënga edhe ajo fotografi e imja”, ka rrëfyer këngëtarja, teksa ndau historinë prekëse.
Artistja gjithashtu deklaroi se u shpreh e gëzuar që ka arritur të përcjellë një mesazh te gjeneratat e reja në atë kohë që t’i bashkangjiten luftës.
Intervista e Leonora Jakupit vjen pas aktgjykimit të Hagës, ku u dënuan me 81 vjet burgim të plotë, katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Mes emocioneve, artistja deklaroi se ky vendim i gjykatës ishte tejet i rëndë dhe se ende njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që iu është bërë Kosovës.



