Ramadan RAMADANI
Mjafton edhe nëse ky shkrim mbetet vetëm përkujtim për diasporën shqiptare nga Maqedonia që pasi u caktua data e zgjedhjeve që tash sa është më lirë të rezervojnë ardhjet e tyre për 24 Prill dhe ditët paraprake, që me votën e tyre të japin kontributin direkt duke votuar në ndryshimin që duhet të ndodh në Maqedoni. Kjo ardhje përveç se një kontribut i tyre i vyeshëm dhe direkt mund të jet frymëzim për dalje sa ma masive në votime, e që tani duket si parakusht për shembjen e hiles qeverisëse që mbështetet edhe në daljen e vogël të shqiptarëve në votime. Njashtu ardhja për votime mund të dale edhe si hakmarrje legjitime për lojërat që iu bënë diasporës shqiptare në rrethet e kaluara ku vota e tyre u anulua me lojëra birokratike dhe paaftësi politike nga BDI. Njashtu kjo është kontribut direkt për përmirësimin e gjendjes në vendin ku ata vijnë shpesh për pushime dhe në vend se të pushojnë ose të kryejnë punët e tyre personale dhe familjare ose vonohen nëpër kufi dhe sportele ose u duhet vet të kryejnë punët në lagje që është dashur ti kryjë komuna dhe shteti gjatë tërë vitit. Përveç si kontribut dhe dënim kjo ardhje mund të shihet edhe si një shpagim pasi disa nga krerët e grupimit që vazhdon ti marrë në qafë shqiptarët e Maqedonisë kanë ardhur aty mu nga diaspora. Jo se dikush e sheh fajtor krejt diasporën shkaku i një grupthi të vogël azilantë nga Lucerni, por me kontributin direkt dhe ndryshimin te shqiptarët diaspora përfundimisht do hiqte nga vetja këtë mundësi për fajësim kolektiv të padrejtë ndaj gjithë diasporës. Dhe për fund pasi mund të shihet si kontribut, dënim dhe shpagim të cekim edhe një kërcënim: kjo përbëhet nga fakti se nëse BDI me ndonjë rastësi del partia e parë ndër shqiptarë atëherë në Maqedoni ka gjasa të ndodhë momenti i dëshpërimit sikur ndodhi në Kosovë dhe të fillojë një si ikje masive nga vendi. Shumë njerëz brenda në Maqedoni janë të varrur mes mendimit për diasporën se ose do vini të kontribuoni për ndryshimin ose ne do vijmë andej nëse mbetet ende kjo pa perspektivë!