Ramadan Ramadani
…mendoj se kam fjalë dhe ndoshta do kisha shkruar diçka për shfaqjen ama e di se nuk do mund ta përshkruaj performancën e Bajrush Mjaku në atë shfaqje. Kjo sepse në të kishte shumë gjëra të bukura për të cilat do mund të shkruhej shumë fjalë të bukura. Por, performansa, qëndrimi, heshtja, kalimet që i bënte lehtë Bajrushi prej reales në surreale, prej ëndrës në zhgëndër, prej hamendjes në siguritet, për ato nuk kam fjalë…
Para dikur më shumë se 20 vite isha kontribues në javoren “Lobi” me shkrime, por edhe mësoja nga doajeni i gazetarisë i krejt Jugosllavisë së dikurshme, Iso Rusi. Me një aksion të ndërmjetësuar edhe nga hoxha Irfan Salihu shkuam diku në malet e Kosovës dhe bërëm një intervistë me komandant Hoxhën e Prizrenit; Samidin Xhezairi. Ishte intervista e parë e tij pas konfliktit te ne në vitin 2001. Ai numër i Lobi, intervista, fjalët e komandantit u përhapën aq shumë sa neve na vinin lajme nga distributori se në shumë qytete nuk ka mjaftuar tirazhi dhe edhe vet pamë fotokopje të shumta të faqeve me intervistën e atij numri të javores.
Rrinim me Iso diku në çaj në Çarshi një javë më pas dhe bisedonim sigurisht edhe për suksesin e tij të fundit publicistik që kishte ndodhë me ate intervistë. Në një moment z. Rusi e hapi numrin aktual të javores dhe më tregoi disa faqe duke më thënë: shif, për mua kjo është edhe më e madhe! Unë pasi e kisha lexuar vetëm thash: po, po qartë; aga Bajrush! Ishte një mega intervistë me Bajrush Mjakun, artistin e kombit dhe njeriun që e dija prej kur jam fut herën e parë si fëmijë në teatër: 1979!
Mandej kam parë filma, role dhe shumë shfaqje me Bajrushin. Në disa vende, kontinente e skena të ndryshme. Pata rastin ta shoh prap në shfaqjen e fundit “Babai”, në teatrin e parë ku e kam ndjek, aty afër Bit Pazarit, pas 47 viteve! Unë mendoj se kam fjalë dhe ndoshta do kisha shkruar diçka për shfaqjen ama e di se nuk do mund ta përshkruaj performancën e Bajrush Mjaku në atë shfaqje. Kjo sepse në të kishte shumë gjëra të bukura për të cilat do mund të shkruhej shumë fjalë të bukura. Por, performansa, qëndrimi, heshtja, kalimet që i bënte lehtë Bajrushi prej reales në surreale, prej ëndrës në zhgëndër, prej hamendjes në siguritet, për ato nuk kam fjalë. Vetëm pas shfaqjes i thash dikujt në bisedë: veç dy veta i kam has kështu: ky dhe Antoni Hopkins. Prej zhurmës bashkëbiseduesi nuk më dëgjoi dhe pyeti: kush?! Ndërsa unë pyetjen “kush” e mora “cili”. E kuptova si pyetje se cilin zgjedh e për cilin votoj nga këta dy andaj shkurt dhe më me zëu përgjigja: “Po ky i joni be!”
Rrofsh sa malet maestro, Bajrush Mjaku lum ne që të kemi!
Ramadan Ramadani
Shkup, 10.09.2026 photo: Teatri Shqiptar
PREMIERË 09.09.2026 Teatri Shqiptar Shkup
🎭 “BABAI” Florian Zeller
Regjia / Ivan Popovski /
Shënim 53 vjet të karrierës artistike të Bajrush Mjakut




