Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, Dong Jun, bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë, në forumin “Beijing Xiangshan”
Pothuajse 2000 përfaqësues zyrtarë, studiues dhe vëzhgues nga më shumë se 100 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare u mblodhën nga e marta deri të enjten për këtë forum.
Dong theksoi se në botën e sotme të ndërvarur, sa më i thellë të jetë bashkëpunimi midis vendeve, aq më e sigurt do të jetë bota, duke u zotuar se ushtria kineze është e gatshme të kontribuojë në mbrojtjen e drejtësisë dhe paanësisë ndërkombëtare, si dhe të paqes e stabilitetit global.
“Ne duhet të kemi parasysh sigurinë dhe mirëqenien e gjithë njerëzimit, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të forcojmë shkëmbimet e mësimin reciprok, ndërsa punojmë për ta bërë rendin ndërkombëtar të sigurisë më të drejtë dhe të barabartë,” vuri në dukje ai.
Me temën “Ndërtimi i konsensusit për stabilitetin, avancimi i përbashkët i qeverisjes së sigurisë”, forumi i këtij viti shënon 20-vjetorin e Forumit “Beijing Xiangshan”, i cili nisi në vitin 2006 si një shkëmbim i tipit “track-two” (diplomaci jozyrtare) midis qendrave të mendimit.
Pjesëmarrësit zhvilluan diskutime të thelluara mbi një sërë çështjesh, përfshirë prirjen drejt një bote shumëpolare dhe rendit ndërkombëtar, marrëdhëniet midis fuqive të mëdha dhe stabilitetin strategjik, sigurinë e rrugëve detare dhe qeverisjen e sigurisë detare, si dhe rreziqet e rregullimin lidhur me përdorimin ushtarak të teknologjive në zhvillim.
Shumë pjesëmarrës besonin se multilateralizmi, të cilin forumi e ka theksuar, u jep më shumë vendeve një rol më të madh në formësimin e qeverisjes së sigurisë, duke marrë parasysh shqetësime më të gjera të sigurisë dhe duke u harmonizuar me Iniciativën për Qeverisjen Globale (GGI) të propozuar nga Kina.
“Në këtë platformë, përfaqësuesit mund të zhvillojnë dialog të barabartë dhe të kërkojnë pika të përbashkëta duke lënë mënjanë dallimet, duke ndihmuar kështu në ndërtimin e një konsensusi të rëndësishëm për stabilitetin” – thaZhang Chi, nga Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kinës.




