Hysni Gucati, përfaqësues i Organizates së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë të ditur se bashkëshortja e Jakup Krasniqit, Sevdija, ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore.
Gucati, në një intervistë për KosovaLive në T7, theksoi se nuk mund të japë shumë detaje për situatën shëndetësore të Sevdijes, por shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e saj.
“Kam qenë në dijeni që Jakup Krasniqi do të vijë këtë javë për vizitë familjare, për shkak se gruaja e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore,” tha ai, duke shtuar se vizita është e lejuar nga gjykata.
“Baci Jakup ka ardhur për një vizitë humanitare, që ia ka lejuar gjykata, për të parë bashkëshorten e tij, e cila po kalon një periudhë shumë të vështirë shëndetësore,” theksoi Gucati.
Ai njoftoi se Sevdija ka qenë së fundmi në një spital në Turqi, ku ka marrë trajtim për një sëmundje të rëndë.
“Nuk mund të jap detaje të plota, por ajo është në një gjendje shumë të keqe. Ajo ka vuajtur nga një sëmundje serioze dhe ka qenë e shtruar në një spital në Turqi. Tani, me siguri, është kthyer në shtëpi,” tha ai.
Gucati gjithashtu përmendi se ka parë ndihmën e shpejtë në oborrin e shtëpisë së Krasniqit në Prishtinë dhe se ka biseduar me djalin dhe vajzën e Jakupit për gjendjen e Sevdijes.
“E di që ajo ka qenë në një gjendje jo shumë të mirë, por sipas informacioneve që kam, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar,” tha Gucati.
Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar se ka lejuar një vizitë humanitare të Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij në Prishtinë, pas dënimit të tij me 25 vjet burgim për krime lufte më 16 shtator.


