Avokati i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Plarent Ndreca ka njoftuar këtë të mërkurë se pas dy javësh kërkesash për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.
Ndreca thekson se mjekët kanë arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Ndreca pyet se kush do të mbajë tashmë përgjegjësi për këtë vonesë.
“Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.
Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!
Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura. Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!
Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme? Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur”, shkruan ai.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>


