Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Kuvend, ku foli për projektbuxhetin 2027, duke e vlerësuar buxhetin e vitit 2027 si historik.
Rama nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës, duke thënë se do të futen në histori si hapësit e gropave.
“Këto nuk janë çështje dëshirash. Dëshirën për të ulur taksat në ushqime e kemi pasur qysh në krye të herës… Arsyeja përse barra e karburantit ka qenë më e lartë është se në strukturën e çmimit ne kemi ende sot, por nuk do të kemi më duke nisur nga 1 janari, taksën e qarkullimit. Dëshirën për të mbështetur fort familjet e reja e kemi pasur qysh në krye të herës. Por nuk janë dëshirat që mbushin arkat e shtetit apo që e bëjnë një qeveri më të mirë. Por është ekonomia që përcakton shpejtësinë e rrugës e bën edhe qeverinë më të mirë kur ajo ka mundësi të shpërndajë më shumë.
Pa bërë llogaritë nuk bën asnjë tjetër, vetëm ju hapni gropën që vjen pas. Dhe këta që janë këtu bashkë me ca që kanë mbetur do të mbeten në historinë e këtij vendi si hapësit e gropave të qeverisjes së parë dhe të dytë, ndërsa historia do të flasë për ne si ndërtues të Shqipërisë europiane. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, rrugën e rritjes së të ardhurave pa rënduar me taksa ata që fitojnë më pak. Ne besojmë te zhvillimi, sipërmarrja dhe drejtësia e vendimeve tona.
Sot kemi ekonomi të trefishuar, ishte më pak se 10 mld euro kur morëm detyrën dhe ka kapërcyer tavanin e 30 mld euro. Sot është një vend që rritet me një ritëm dhe në raportin e progresit të BE-së është vlerësimi për ekonominë. Sot kemi papunësi që ka rënë nën 10% dhe pagë mesatare që është rritur në 967 euro. Dhe investimet e huaja kanë prekur nivele historike. Rritja e investimeve të huaja është një gjë që nuk ju pëlqen të gjithëve. Kemi një borxh publik më të ulët që kur ne morëm detyrën. Pra, Shqipëria ka fituar një shifër të re.
Por ne jemi të vetëdijshëm se një ekonomi që rritet, jo çdo familje e ndjen njësoj rritjen. Transformimi i madh sjell edhe një paradoks që ne e kemi të qartë falë mobilizimit të qytetarëve në javët e para të qershorit… Një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën nuk e bën llogarinë me rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria në BE në 2030 është pazgjidhshmërisht e lidhur me Shqipërinë ku shqiptarët ndihen familjarisht më të fortë këtu në Shqipëri. Falë punës dhe përpjekjeve të mëdha të bëjmë lehtësime që nuk i bënim dot deri dje… Jo se nuk donim, por se nuk mundnim”, tha Rama.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>


