Një zjarr i madh ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarja ka ndodhur më 30 prill 2026 rreth orës 02:00, kur Policia ka pranuar informacion për një shtëpi që ishte përfshirë nga flakët.
Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipi emergjent, ku është konstatuar se një shtëpi ishte përfshirë plotësisht nga zjarri, ndërsa një tjetër pranë saj ishte dëmtuar pjesërisht.
Zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin pas ndërhyrjes intensive.
Sipas pronarit të shtëpisë, zjarri dyshohet se ka shpërthyer pasi bashkëshortja e tij është zgjuar nga një krismë që vinte nga ora e rrymës dhe siguresat, nga ku më pas janë përhapur flakët.
Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar, pasi të gjithë anëtarët e familjes kanë arritur të dalin me kohë nga shtëpia.
Dëmet materiale janë të mëdha, ndërsa vlera e tyre ende nuk është përcaktuar. Edhe shtëpia tjetër ka pësuar dëme, kryesisht në dyer dhe dritare.
Rasti po trajtohet si zjarr aksidental, ndërsa hetimet janë në vazhdim./Sinjali/



