Në Shkup filloi “Simpoziumi i 5-të Ndërkombëtar mbi Mësimin e Turqishtes dhe Turkologjisë në Ballkan”. Simpoziumi, i organizuar në bashkëpunim të Universitetit të New Yorkut në Tiranë, në kuadër të Fondacionit Turk Maarif, me mikpritjen e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), mblodhi së bashku zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Haci Ali Ozel, ambasadorin e Turqisë në Shkup, Alper Aktas, ministrin shtetëror të Maqedonisë së Veriut përgjegjës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Investimet e Huaja, Zulfikar Zejnulla, zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë së Veriut, Driton Sulejmani, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend si dhe akademikë e studentë.
Zëvendësministri Ozel tha se gjuha turke ka shërbyer si urë lidhëse në Ballkan për shekuj me radhë, ndërsa theksoi se mësimdhënien e gjuhës turke jashtë vendit dhe promovimin e kulturës turke i konsiderojnë si një nga dimensionet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Turqisë.
Ndërsa, ministri Zejnulla tha se gjuha turke në Ballkan nuk është vetëm një gjuhë që flitet sot, por një gjuhë që është folur vazhdimisht ndër shekuj. “E dimë se një komb që humb gjuhën e tij humb edhe ekzistencën e vet”, deklaroi Zejnulla.
Në anën tjetër, zëvendësministri Sulejmani theksoi se identiteti i Ballkanit është formësuar ndër shekuj si rezultat i ndërveprimit mes popujve, gjuhëve, feve, traditave dhe qytetërimeve të ndryshme. “Ky është një nga asetet tona më të mëdha kulturore dhe intelektuale. Maqedonia e Veriut është një vend veçanërisht domethënës për ta trajtuar këtë diversitet”, deklaroi Sulejmani.
Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Mahmut Mustafa Ozdil vuri në dukje rëndësinë e simpoziumit, i cili organizohet për të pestin vit me radhë. “Kjo konferencë është e rëndësishme për ne jo vetëm si një platformë ku njoftojmë botën për punën tonë, por edhe si një platformë ku mund të krijojmë bazën për punë të përbashkëta”, deklaoi ai. Ndërsa, Rektori i IBU-së, prof. dr. Mehmet Bulut tha se gjuha turke ka një të kaluar të rrënjosur në Ballkan. “Gjuha turke është e rëndësishme për këtë rajon”, theksoi ai. Pas fjalimeve të hapjes, simpoziumi vijoi me konferencën e mbajtur nga prof. dr. Sadettin Okten dhe panele të ndryshme.
Simpoziumi, i cili këtë vit organizohet me temën “Letërsia popullore dhe kultura gojore në Ballkan”, me mbështetjen e Institutit të Gjuhës Turke, Institutit “Yunus Emre”, Presidencës për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim dhe Halkbank, do të përfundojë më 7 nëntor, pas paneleve të ndryshme dhe një vizite kulturore. /SHENJA/



