Raporti i ri i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut ka marrë vëmendjen e partive politike në vend, në pushtet e opozitë. Këtë raport, partia opozitare maqedonase LSDM e quan katastrofal dhe sipas tyre, është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i rezultateve të qeverisjes së Mickoskit dhe VMRO-së.
Andrej Zhernovski, LSDM
“Ajo që shqetëson është se kemi zero përparim në luftën kundër korrupsionit. Kemi 0 përparim në atë që ishte luftë për të pasur prokurime publike të mira. Këtu nuk kemi asnjë përparim. Situata është e keqe, është katastrofale. Kemi zero përparim edhe në lirinë e mediave. Gjyqësori është nën rrethim politik dhe pa para. Mediat janë nën presion, kurse bujqësia në kolaps”.
Për BDI-në opozitare, ky raport është një nga raportet më negative të Komisionit Evropian. Sipas tyre VLEN hyri në Qeveri me premtimin se do t’i përfaqësonte shqiptarët. Ndërsa sot, shtojnë ata, pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këtë qeverisje po lexohen në Bruksel.
BDI
“Për herë të parë, problemet konkrete me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat marrin një vend kaq të qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian. Kjo është pasoja më e rëndë politike e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me VLEN-in: çështje të barazisë që duhej të ishin garanci të pakontestueshme institucionale, sot janë kthyer në shqetësim evropian”.
Ndërkohë partia shqiptare në pushtet VLEN është e kënaqur që Brukseli po i njeh siç thonë ata reformat dhe angazhimin e vendit. Ndërkaq, vërejtjet e raportit ata shprehen se i marrin si detyra për t’i përshpejtuar reformat dhe për të dhënë rezultate aty ku ende ka mangësi.
VLEN
“Rëndësi të veçantë ka evidentimi i propozimligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i përgatitur nën drejtimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari. Raporti njeh edhe përparimin në reformën e gjyqësorit, përfshirë ligjet e reja për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. Ligji për Këshillin Gjyqësor adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”.
Ndërsa Lidhja Shqiptare tehkson se në raportin e Komisionit Europian, që zyrtarisht titullohet Raport Progresi, por siç thonë për Maqedoninë e Veriut në fakt është Raport Regresi, janë të theksuara të gjitha sferat që ata gjatë vitit i kanë ngitur si shqetësime.
Lidhja Shqiptare
“Nga ndryshimet Kushtetuese, partizimi dhe etnizimi i gjyqësorit, presioni dhe kërcënimet ndaj mediave dhe gazetarëve, Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, diskriminimi gjuhësor dhe në çdo sferë tjetër, janë dështimet e Qeverisë aktuale dhe institucioneve kompetente”.
Edhe këtë vit Raporti i Progresit i Komisionit Evropian përmban vërejtje dhe mungesë progresi në fushat kyçe në Maqedoninë e Veriut. Vendi nuk ka shënuar asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe shqetësim serioz.
Emine Ismaili /SHENJA/



