“Shqiponja” e sheshit të dikurshëm të Tiranës që u hoq në vitin 2018 për shkak të projektit të Unazës së Madhe do të vendoset sërish, por në qytetin e Kukësit.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti socialist Pandeli Majko, i cili thotë se kjo u realizua edhe me mirëkuptimin e Lazim Destanit, i cili është edhe dhuruesi i saj.
““Shqiponja” e sheshit të dikurshëm të Tiranës, do të vendoset tek rrethrrotullimi i Gostilit, në hyrje të Kukësit!
Kjo u realizua falë mirëkuptimit të mikut tim Lazim Destani (i cili është dhuruesi i saj), miratimit të Edi Ramës dhe bashkëpunimit të bashkisë së Tiranës! Albert Halili, kryetari i Bashkisë së Kukësit si protagonist i këtij procesi po koordinon punën për vendosjen e “shqiponjës”!… Mbarësi!”, shkruan Majko.
Simboli i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë i vendosur në vitin 2012 tek rrethrrotullimi Doganës në Tiranë u hoq më 2018 për shkak të projektit për Unazën e Madhe.
‘Shqiponja’, vepër e derdhur në çelik të rëndë, me lartësi 10 metra (shqiponja, 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra) u vendos me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë në një ceremoni të organizuar asokohe nga kryeministri Berisha e kreu i Bashkisë Lulzim Basha.
‘Shqiponja’ është vepër e artistit Albi Cifligu. Me kontributin financiar të familjes tetovare “Destani”, u vendos në sheshin e pagëzuar me të njëjtin emër që ndodhet në hyrje të Tiranës.