Narrativa e viktimizimit dhe mobilizimi emocional, karta e djegur e Presidentit serb
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç priti që të gjithë liderët në rajon të flisnin, dhe pasi mbajti shënim deklaratat e tyre, vendosi të dalë publikisht në orën 18:30 të mbrëmjes së të mërkurës për të komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-pjesëtarët e UCK-së. Sulmin e nisi me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj. Vuçiç lexoi në konferencë për shtyp mesazhin e publikuar nga Presidenti i Shqipërisë, i cili shprehu “pikëllim të thellë” për vendimin e gjykatës dhe tha se “Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk mund ta njollosë UÇK-në” dhe se “Liria ka emër”. Ndërsa e lexoi këtë mesazh të Presidentit Begaj, Presidenti serb Vuçiç deklaroi: “Imagjinoni sikur një nga zyrtarët tanë të thoshte: “Liria ka emër” dhe të përmendte ndonjë serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”. Kjo pyetje retorike e Presidentit Vuçiç zbuloi hipokrizinë e tij me rolin e të viktimizuarit. Vetëm pak ditë më parë, Vuçiç përcolli me nderime e funeral shtetëror atë që njihet botërisht si “Kasapi i Ballkanit“ , gjeneralin Radtko Mlladiç, ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Të gjitha këto të faktuara ligjërisht dhe ndërkombëtarisht nga Gjykata e Hagës (e krijuar nga Këshilli i sigurimit të OKB-së) rast i pakrahasueshëm me procesin “Thaçi dhe të tjerët…” të Gjyktës Speciale në Hagë. Vuçiç e nderoi Mlladiç si “Hero”. Në atë konferencë për mediat Presidenti serb përdori narrativën e viktimizimit dhe e paraqiti vendimin e Gjykatës Speciale si dëshmi se Serbia dhe serbët trajtohen me “standarde të dyfishta”.
Por kjo narrativë nuk e ndihmoi Presidentin Vuçiç të shfaqet si lideri i dhembshur për popullin e tij. Kjo pasi sulmi ndaj Presidentit të Shqipërisë dhe ndaj liderëve të tjerë të rajonit në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut e Kroaci zbuloi liderin e vërtetë Vuçiç- atë që nderon krimet e kohës së ish -Jugosllavisë dhe vetëviktimizohet duke viktimizuar popullin serb. Duke iu drejtuar publikut nga Presidenca e Serbisë, Vuçiç tha se “emocionet e larta që ende shoqërojnë konfliktet në ish-Jugosllavi tregojnë sa të thella janë plagët”, ndërkohë është po vetë ai që i rihap këto plagë, duke i përdorur edhe në funeralin shtetëror të Mlladiç emocionet e serbëve në prag të zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi. Po ashtu në konferencën për mediat Vuçiç tha se “ duhet kërkuar një zgjidhje për të ardhmen përmes bisedës, dialogut dhe mirëkuptimit më të madh të ndërsjellë”. Kjo deklaratë që literalisht paraqet një lider vizionar e përendimor, u përgënjeshtrua publikisht nga vete Presideti serb po në atë konferencë shtypi, me sulmin ndaj homologëve të tij rajonalë me të cilët ai do të duhej të jetësonte kinse vizionin për dialog e mirëkuptim. “Këto reagime tregojnë edhe një herë se viktimat serbe po margjinalizohen nga narrativa publike dhe politike”, e mbylli Vuçiç qëndrimin ndaj liderëve shtetërorë dhe politikë të rajonit. “Molizimin emicional” me synim rritjen e mbështejes së brendshme dhe “polariteti” si produkt i tij i përket së shkuarës në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një strategji e stërpërdorur për rihapjen e plagëve të konflikteve të viteve ‘90. Edhe pse Ballkani nuk quhet më “fuçi baruti” në qarqet diplomatike dhe si çdo rajon europian e perëndimor, sot ka kaluar nga përdorimi i shkrepseve të markës “Zebra” në inteligjencën artificiale dhe robotët modern, Vuçiç e mban ende një fije nga ajo shkrepse. Aq shumë herë ka tentuar ta ndezë, saqë asaj tani i ka rënë baruti nga koka.



