Në kuadër të vizitës në Uashington, Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, së bashku me delegacionin qeveritar, zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane, Kongresit dhe sektorit ekonomik, ku në fokus ishin thellimi i partneritetit strategjik ndërmjet dy shteteve, si dhe hapja e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik dhe investime.
Mickoski zhvilloi takim me Caroline Vik, drejtoreshë kryesore për politikat dhe ushtruese e detyrës së drejtoreshës kryesore për zhvillim në Korporatën Amerikane për Financim të Zhvillimit Ndërkombëtar – DFC, institucion i cili disponon kapacitet investues prej 205 miliardë dollarësh dhe përfaqëson një instrument të rëndësishëm të SHBA-së për mobilizimin e kapitalit privat dhe investimeve në sektorët strategjikë.
Në takim u diskutua për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe investimet e mundshme në Maqedoni në disa fusha, me theks të veçantë në energjetikë, teknologji të larta dhe sektorë të tjerë strategjikë. DFC, në veprimtarinë e saj, vë theks të veçantë në energjetikë, infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuara, ndërsa pas zgjerimit të kompetencave të saj disponon një kapacitet dukshëm më të madh për investime ndërkombëtare.
Vizita në Uashington u shfrytëzua edhe për një sërë takimesh politike me përfaqësues të Kongresit amerikan.
Kryetari i Qeverisë zhvilloi takim me kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
Në takim u diskutua për rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për interesat e përbashkëta të dy vendeve, si dhe për mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.
Mickoski zhvilloi takim edhe me kongresmenen Claudia Tenney, bashkëkryesuese e Grupit të Miqësisë me Maqedoninë në Kongresin e SHBA-së.
Në bisedime u theksua rëndësia e marrëdhënieve tradicionalisht të fuqishme dhe miqësore ndërmjet Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësia e bashkëpunimit parlamentar, dialogut politik dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve.
Seria e takimeve në Uashington paraqet vazhdim të përpjekjeve për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, por edhe për shndërrimin e tij në bashkëpunim konkret ekonomik, investime të reja dhe projekte me interes për shtetin tonë.
Përkushtimi për avancimin e partneritetit, respektimi i vlerave të përbashkëta dhe ndërtimi i marrëdhënieve të qëndrueshme dhe afatgjata maqedono-amerikane mbeten një bazë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.TV KOHA




