Teksa vendi ecën drejt integrimit euro-atlantik, debati publik shpesh humbet mes teorive mbi ndikimet e huaja. Por pas revoltës së rinisë fshihen kërkesa të mirëfillta sociale që kërkojnë vëmendje, zgjidhje dhe llogaridhënie.
Nga Dr. Arben Ramkaj
Shqipëria e sotme po lundron në një paradoks të thellë. Teksa vendi pret ngjarje të përmasave të mëdha, si Samiti i NATO-s, dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, hapësira jonë publike po mbushet me teori konspirative të importuara. Nga dhomat e errëta të internetit deri te debatet televizive, po qarkullon një përzierje e narrativës së të djathtës alternative të stilit amerikan (QAnon), paranojës gjeopolitike dhe panikut të fabrikuar fetar. Ky fenomen po merr peng pikërisht dëshirën e natyrshme për llogaridhënie qytetare.
Kjo klimë nuk mbetet vetëm në nivelin e debatit publik, por reflektohet edhe në mënyrën se si interpretohen protestat dhe simbolet në hapësirën publike. Simptomat e këtij helmimi po shfaqen gjithnjë e më qartë. Së fundmi, në protestat e quajtura “Revolucioni i Flamingove”, heqja e një flamuri izraelit në Tiranë përbën një akt të papranueshëm. Ky veprim, çuditërisht, mbeti i pazbardhur dhe pa asnjë reagim institucional. Ai cenon traditën shqiptare të mikpritjes dhe tolerancës. Ngjarje të tilla të kujtojnë edhe përplasjet e disa viteve më parë për një flamur turk në një hidrocentral në Mirditë. Këto episode dëshmojnë një shoqëri të lënduar, e cila, e mbingarkuar nga frika e dominimit, reagon emocionalisht ndaj çdo simboli të huaj. Në këtë mënyrë, vëmendja largohet nga problemet reale – korrupsioni, mungesa e meritokracisë dhe pabarazia – për t’u përqendruar te armiq imagjinarë gjeopolitikë.
Pikërisht mbi këtë terren të mbushur me pasiguri dhe emocione ndërtohen edhe narrativat politike. Për t’ua shpjeguar edhe një herë të painformuarve gjeopolitikën reale: po, Irani mund të cenojë interesat e një shteti anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian. Por këtë mund ta bëjë përmes luftës hibride, fushatave të dezinformimit dhe sulmeve asimetrike kibernetike. Pretendimet se Teherani ka kapacitet të destabilizojë fizikisht Shqipërinë apo të nxisë mijëra shqiptarë në protesta masive janë skenarë të largët dhe pa bazë bindëse. Kjo qasje tenton ta zbehë frymën e pastër qytetare duke kërkuar shkaqe jashtë kufijve të vendit. Për më tepër, ajo krijon një imazh të panevojshëm të një Shqipërie të brishtë përballë partnerëve të saj euro-atlantikë.
Por narrativat konspirative nuk ndalen vetëm te gjeopolitika. Ato shtrihen edhe në fushën fetare. Disa analistë të sigurisë, që njohin shumë pak çështjet e religjionit dhe lidhjen e tyre me sigurinë, vazhdojnë të ndërtojnë gogolin e “Islamit politik”. Ata pretendojnë se të rinjtë besimtarë po nxiten nga xhamitë drejt revolucioneve radikale. Ky pretendim përbën një ofendim ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe bie ndesh me faktet historike. Shqipëria ka qenë ndër vendet më pak të prekura nga radikalizmi fetar në Evropë dhe nuk ka njohur asnjë akt terrorist me motiv fetar gjatë periudhës së pluralizmit. Çdo insinuatë e tillë ushqen një klimë të panevojshme islamofobie dhe paragjykimi.
Nëse hiqen mënjanë këto interpretime ideologjike, bëhet shumë më e qartë se cili është burimi i vërtetë i pakënaqësisë. Ajo që po i shtyn të rinjtë dhe shtresën e mesme drejt protestës nuk është ndonjë dogmë fetare apo ndonjë axhendë e huaj. Këto lëvizje burojnë nga kërkesa të paplotësuara sociale: mungesa e meritokracisë, pabarazitë ekonomike, çështjet e pronësisë dhe nevoja për më shumë transparencë. Në këto protesta bashkohen besimtarë dhe jobesimtarë, katolikë e myslimanë, ateistë e agnostikë. Ata nuk i bashkon asnjë ideologji, por të njëjtat shqetësime për të ardhmen.
Pikërisht për këtë arsye, kjo energji qytetare nuk duhet parë si kërcënim, por si mundësi. Horizonti i ri urban dhe zhvillimet intensive kanë krijuar shpesh një ndjenjë shkëputjeje mes planeve të mëdha të investimeve dhe interesave të komuniteteve lokale. Megjithatë, përmes kësaj lëvizjeje Shqipëria po i tregon Evropës se ka një rini të gjallë, kritike dhe aktive. Kjo energji, nëse kanalizohet siç duhet, mund të shërbejë si katalizator për reforma më të thella dhe për një kulturë të re politike.
Megjithatë, çdo energji qytetare ka nevojë edhe për maturi politike. Që kjo lëvizje të shndërrohet në një alternativë serioze, ajo duhet të distancohet nga retorika radikale dhe sloganet për revolucione imagjinare. Ne nuk jetojmë në Francën e shekullit XVIII. Sistemi nuk ndryshon brenda natës; ai reformohet përmes dialogut, institucioneve dhe vendosjes së rregullave të barabarta për të gjithë.
Në fund të fundit, ky është edhe testi që Shqipëria duhet të kalojë në këtë moment historik. Në Kuran thuhet: “A nuk ka mes jush njerëz të mençur?” Kjo pyetje tingëllon sot si një thirrje për të refuzuar teoritë konspirative dhe për t’u përqendruar te problemet reale të shoqërisë. Demokracia nuk ndërtohet mbi frikëra dhe supozime, por mbi transparencë, shtetin e së drejtës dhe llogaridhënie. Këtë të vërtetë, fatmirësisht, po e kupton shumica e shëndetshme dhe e arsyeshme e shqiptarëve.


