Nazim RASHIDI
Lirimi na la të shtangur me ikjen e tij. Për ne që e njihnim do jetë një mungesë e madhe. Do mungojë për miqësinë që jepte, për sinqeritetin, për bisedat, për gjithë prezencën me të cilën ishim mësuar me vite.
Lirimi e urrente patetizmin. “Boll u bëtë patetik”, na thoshte. E urrente fallcitetin. “Pse duhet për njerëzit e vdekur të thuhen fjalë të mira, pse nuk thuhen kur janë gjallë”, thoshte. Qeshte me njerëzit fallco. Humorin e kishte inteligjent. Ah, sa përtonte të shpjegohet disa herë. I urrente padrejtësitë. Sidomos të njerëzve hileqarë që të qeshin ditën e të qajnë natën. E kishte tmerr mashtrimin, mashtruesit dhe mediokrët “që po na rrethojnë çdo ditë shumë e më shumë”, thoshte.
Luftonte me skuthët, që të qeshin në fytyrë e të fusin thikën pas shpine. E lodhte kjo betejë, e sfiliste! Lirimi ishte krenar, nuk deshte asnjëherë përfitime të pa merituara. Lirimi lexonte, diskutonim libra, libër i dhurova për herë të fundit.
Shikonte filma, shumë filma. E ndiqte ekonominë, jepte këshilla. Idhull e kishte Warren Buffett, biznesmenin amerikan, por jo aq për milionat që ka bërë, por për modestinë. Nga ai e kam mësuar se Warren Buffett, edhe pse milioner, nuk e kishte ndërruar shtëpinë ku kishte jetuar përherë. Lirimi ishte modest, e urrente mendjemadhësinë, urrente pangopsinë, sidomos ata që pasuroheshin në kurriz të të tjerëve.
Përherë fliste për keqpërdorimin e fondeve publike. “Janë paratë tona. Duhet të kërkojmë llogari”, thoshte. Kishte shqetësime për shoqërinë, për të ardhmen. “Veç konstatojmë Nazim, a çka bëjmë”, më thoshte. Kishte zemërim kur s’kishte reagim nga shoqëria, “deri sa ka ajvar, këtu askush s’do protestojë”, thoshte. Dhe e deshte këtë shprehje, “të tregoni se është e imja”, na thoshte. Lirimi ishte 24 orë i përkushtuar për punën, 24 orë në telefon për çdo gjë. 24 orë dhe për miqtë. “Nuk flej unë, veç thirr”, thoshte, “për gjithçka”. Lirimi ishte prind i dashur. I donte fëmijët pa masë. Kishte shqetësim për të ardhmen e tyre. Shumë shqetësim. Por krenar me ta. Lirimi dëgjonte muzikë shumë, “shihe këtë trakë”, dhe dërgonte këngët. Shkonim në koncerte, në festa. I fundit tek Kraftwerk, e mora me zor.
Lirimi ishte një shqiptar i kohës dhe shqiptar “tipik”. Grindavec, oh sa grindavec, sa inatçor, por asnjëherë dashakeq. “Për inati nuk e bëj”, “për inati do ta bëj”, por prsëri lëshonte pe.
Vështirë të thoshte më fal, por në telefon të vinte mesazhi “më haet”, ose “çka do hamë”. Ky ishte ofrimi i paqes pas zënkave boshe mes miqsh. Dhe në fakt me njerëzit më të afërt haet e pihet bashkë. Lirimi ishte zemërbardhë, i butë, vuante shumë kur duhej të marrë vendime që preknin njerëzit. Vuante pesëfish më shumë kur duhej t’i përmirësonte vendimet e të tjerëve, e hante. “Askujt si kam bë keq me dashje”, thoshte. Lirimi kishte ironi fine, sarkazëm. Qeshte aq shumë me veten. Me gabimet e veta.
Lirimi ishte njerëzor mbi të gjitha, për ne një mik e shok me shumë prezencë. Prezent edhe kur heshtte, të deshte pranë, por në heshtje. Dhe heshte më shumë kohëve të fundit, siç do jetë tani e tutje. I heshtur, uroj shumë në paqe, por për ne prezent!
Më fal Lirim, e di që se doje patetikën, mbase u bëra pak. “Hajt se tre ditë kujtohen njerëzit kur vdesin”, thoshte. E dëgjoj ku më thotë “boll u bëre patetik Nazim”. Po sjanë fjalë të mira këto që thuhen pas vdekjes Lirim. Të kam kritiku o grindavec i keq, edhe do të shaj. Gjithë kohës do të shaj që ike aq shpejtë “debo”. Dhe po, por “për inati” do të të kujtojmë edhe gjatë Lirim, gjërat duhet të mbesin të shkruara shoku jonë!



