Altin alias Aurel Hoxhallari, i përfshirë në vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë, është arrestuar mëngjesin e djeshëm në Rumani, teksa fshihej prej disa vitesh, për shkak se Prokuroria e Tiranës ka lëshuar një masë sigurimi “Arrest në Burg” për vrasjen e Devi Kasmit. Aktualisht Hoxhallari është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, nga gjykata e Shkallës së parë Tiranë. Hoxhallari kërkohej prej vitit 2018, si njëri nga organizatorët kryesorë të vrasjes së Devi Kasmit.
Pritet që tashmë Prokuroria e Tiranës të nisë një kërkesë për ekstradimin e Hoxhallarit në drejtim të Shqipërisë.
Për këtë ngjarje të rëndë, në vitin 2018 është arrestuar Elton Halipaj, i cili u akuzua për akuzën e “Sigurimit të mjeteve për vrasjen e Devi Kasmit”.
Në pranga ra dhe shtetasi grek, Efitmiu Eftimiu, i cili ishte vrasësi. Gjatë aksionit Eftimiut iu gjetën para, i kishte marrë shpërblim për ekzekutimin e Kasmit.
Në pranga ra Malvin Dinellari, i cili siguroi infrastrukturën. Gjithashtu u arrestua nga policia Elton Hoxhallari, si i përfshirë si bashkëpunëtor në vrasje.
Ndërsa Altin alias Aurel Hoxhallari, në vitin 2018 u shpall në kërkim si organizator i vrasjes së Devi Kasmit. Devi Kasmi u ekzekutua me 4 plumba mbrëmjen e 29 janarit në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në afërsi të Urgjencës së Pediatrisë.
Atentatorët, që thuhet se kanë qenë hipur në një motor dhe të pajisur me skafandra, pritën derisa objektivi i tyre doli nga banesa, ndërsa qëlluan ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Fill pas krimit ata u larguan me shpejtësi në drejtim të SHISH, duke fshehur kështu gjurmët, pasi përfituan edhe nga errësira në vendin ku ndodhi vrasja.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ngjarja ka të bëjë me konflikte për trafik droge, pasi dyshohet se viktima ishte përfshirë në aktivitete kriminale.
Po ashtu, Devi Kasmi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Spanja, shtet ku jetonte prej kohësh./ Elton Qyno



