Pretendime të forta ka bërë Sali Berisha lidhur me aktivitetin e Shërbimit Informativ të Shtetit, duke akuzuar strukturën që, sipas tij, drejtohej nga Ergys Agasi për survejim dhe përgjim të kundërshtarëve politikë.
I pyetur nëse opozita do të kërkojë një komision hetimor parlamentar, Berisha tha se këto denoncime i ka bërë prej vitesh.
Kreu i PD-së pretendoi se, përveç opozitës, janë përgjuar edhe zyrtarë, ministra e deputetë, si dhe ambasada dhe shërbime të huaja që veprojnë në Shqipëri. Sipas Berishës, një veprim i tillë do të përbënte shkelje të Konventës së Vjenës dhe traktateve ndërkombëtare, ndërsa deklaroi se faktet për këto pretendime, sipas tij, do të bëhen publike.
Pyetje-përgjigje:
Erenik Peka: Z. Berisha, a keni dyshime të arsyeshme se struktura e SHISH e drejtuar nga Vlora Hyseni, ka aplikuar metoda përgjimi ndaj eksponentëve të Partisë Demokratike? A do të kërkoni komision hetimor parlamentar?
Sali Berisha: Struktura e SHISH drejtohej nga Ergys Agasi, gjë të cilën unë e kam denoncuar vite më parë.
Në fakt dëgjova një natë një debat televiziv dhe një nga gazetarët i tha kolegut të vet: “po ne i dinim këto gjëra”.
Në fakt, ato ishin të ditura dhe ne i kishim denoncuar ato me dhjetëra herë.
Kështu që shërbimi informativ i drejtuar nga Ergys Agasi, jo vetëm që ka regjistruar, survejuar, opozitën dhe kundërshtarët e tij, por ka të dhëna të plota që ka përgjuar zyrtarë, ministra, deputetë të partisë në pushtet, partisë së krimit në pushtet. Dhe po kaq të plota që ka përgjuar të gjitha ambasadat dhe shërbimet e huaja në Shqipëri.
Duke shkelmuar në këtë mënyrë Konventën e Vjenës, shkelmuar traktatet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë. Dhe këto do të dalin.
I kemi denoncuar në kohë, i denoncojmë prapë sot, sepse të përgjosh shërbimet diplomatike në Shqipëri, lëvizjet e të huajve në një vend aleat të NATO-s, e bën vetëm për qëllime armiqësore ndaj këtyre vendeve, duke kërcënuar sigurinë e tyre, duke kërcënuar sigurinë e personave të përgjuar.
Por koha do t’i provojë këto dhe jo vonë.



