Paga mesatare neto në Maqedoninë e Veriut në qershor ka zbritur në 48.381 denarë, duke qenë 1.163 denarë më e ulët krahasuar me muajin maj, kur paga mesatare ishte 49.544 denarë, tregojnë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës.
Sipas statistikave zyrtare, paga mesatare neto në qershor është ulur për 2,3 për qind në nivel mujor. Edhe pas përllogaritjes së inflacionit, rënia reale e pagës ka qenë 1,9 për qind.
Megjithatë, në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, situata paraqitet më pozitive. Paga mesatare neto është rritur nominalisht për 6,4 për qind, ndërsa rritja reale, pasi merret parasysh inflacioni, ka qenë 3,4 për qind.
Dallimet mes sektorëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Pagat më të ulëta mesatare në qershor janë regjistruar në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, ku paga mesatare ka qenë 34.200 denarë.
Në anën tjetër, pagat më të larta janë regjistruar në sektorin e informacionit dhe komunikimeve, me një mesatare prej 88.262 denarësh. Diferenca mes dy sektorëve arrin në 54.062 denarë.
Kështu, edhe pse pagat në nivel vjetor kanë shënuar rritje, të dhënat e qershorit tregojnë një rënie të dukshme krahasuar me muajin paraprak, çka përkthehet drejtpërdrejt në më pak të ardhura mujore për një pjesë të konsiderueshme të familjeve.
The post Paga mesatare neto në qershor ishte 48.381 denarë appeared first on TV-SHENJA.


