Protesta në Prishtinë është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, ndërsa autoritetet kanë raportuar për lëndime në të dyja palët.
Sipas Policisë së Kosovës, gjashtë efektivë kanë pësuar lëndime të ndryshme gjatë ndërhyrjeve në terren. Ndërkohë, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 11 protestues.
Policia ka njoftuar gjithashtu se tre persona janë shoqëruar në komisariat për shkak të veprimeve gjatë protestës. Situata është tensionuar gjatë orëve të mbrëmjes, kur, sipas Policisë, një pjesë e protestuesve kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe sende të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Policia ka deklaruar se, pavarësisht thirrjeve për qetësi dhe zhvillim paqësor të protestës, hedhja e vazhdueshme e sendeve dhe bllokimi i lëvizjes e kanë detyruar të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Gjatë ndërhyrjes janë përdorur gaz lotsjellës dhe topi i ujit për shpërndarjen e turmës. Sipas Policisë, këto masa janë ndërmarrë edhe për të mundësuar largimin e personaliteteve nga hapësirat e Kuvendit.
Për shkak të situatës së krijuar, në periudha të ndryshme është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në disa prej rrugëve përreth qendrës së Prishtinës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Policia ka raportuar gjithashtu për dëme materiale të shkaktuara gjatë protestës. Sipas saj, përveç hedhjes së sendeve dhe mjeteve piroteknike drejt institucioneve, në disa raste janë djegur kontejnerë të mbeturinave dhe janë ndezur zjarre në rrugë.
/rtsh.al/



