Dr. Arben Ramkaj
Si teolog, aktivist mysliman dhe intelektual i angazhuar në çështjet fetare e shoqërore, kam folur për projektin e të ashtuquajturit “Shtet Sovran Bektashi” që në ditën e parë kur lajmi u bë publik. Qëndrimin tim kundër kësaj nisme e konsideroj në interesin real kombëtar dhe fetar të Shqipërisë. Ai nuk drejtohet kundër besimtarëve bektashinj, klerikëve apo trashëgimisë së tyre, por buron nga bindja se harmonia ndërfetare, barazia ndërmjet komuniteteve dhe karakteri unitar i shtetit janë vlera që duhet t’i mbrojmë së bashku.
Për ta kuptuar më mirë këtë qëndrim, duhet të kujtojmë se Urdhri Bektashi lindi në Anadoll dhe, gjatë historisë së tij, kaloi përndjekje, zhvendosje dhe riorganizime të shumta. Pas goditjes që pësoi nga Sulltan Mahmuti II më 1826 dhe ndalimit të tarikateve në Turqi më 1925, qendra botërore e bektashizmit u vendos në Shqipëri. Këtu Urdhri u zhvillua si bashkësi fetare dhe qendër shpirtërore botërore, jo si entitet shtetëror. Pikërisht kjo histori dëshmon se bektashizmi nuk ka nevojë për një shtet të ri për të treguar rëndësinë e tij; ai ka nevojë për liri, institucione të qëndrueshme, prona të garantuara dhe mbrojtje të trashëgimisë.
Mirëpo, në kundërshtim me këtë zhvillim historik, ndërsa nuk ekziston ende as shteti, as një ligj themelues dhe as një vendim kushtetues, kanë filluar të shfaqen funksione diplomatike. Kreshnik Grezda, një klerik protestant, është paraqitur në shkresa drejtuar ambasadave si “ambasador special”, ndërsa revista franceze “Intelligence Online” e identifikon tashmë si “ambasador të përgjithshëm”, nën drejtimin e të cilit po ndërtohet një rrjet përfaqësuesish jashtë vendit.
Kështu lind një paradoks që nuk kërkon zemërim për t’u kuptuar: një shtet që juridikisht nuk ekziston ka filluar të ketë ambasadorë, ndërsa një klerik i një tradite tjetër fetare merr rol drejtues në përfaqësimin ndërkombëtar të një tarikati shpirtëror mysliman me histori nëntëshekullore. Çështja, natyrisht, nuk është besimi personal i Grezdës dhe as e drejta e tij për të bashkëpunuar me këdo. Pyetja është se si mund të shpërndahen funksionet e një shteti përpara se ai të ekzistojë dhe përpara se të jenë konsultuar besimtarët, komunitetet fetare, shoqëria dhe Kuvendi.
Ndoshta as Dante Aligieri, gjatë udhëtimit të tij me Virgjilin, nuk do ta kishte përfytyruar një krijesë kaq të çuditshme të kohëve tona: një shtet pa shtet, një sovranitet pa atributet e sovranitetit dhe një diplomaci që lind përpara subjektit që pretendon të përfaqësojë.
Përtej këtij paradoksi, le të kthehemi te fjalimi i Kryeministrit në Kombet e Bashkuara. Fillimisht mendova se projekti ishte një ide publicitare, e konceptuar për ta paraqitur Shqipërinë si një model ndryshe në një kohë krizash të mëdha. E megjithatë, për shqetësimet e mia personale rreth këtij projekti, i jam drejtuar Kryeministrit si zyrtarisht, ashtu edhe privatisht.
Pikërisht në këtë periudhë mësova se edhe miku im, i ndjeri Gerti Bogdani, e shihte me interes këtë ide dhe ishte një prej promovuesve të saj. Dëshiroja ta takoja dhe të kuptoja arsyetimin e tij, por ai u nda nga jeta shumë shpejt dhe ajo bisedë nuk u bë kurrë. Për respekt ndaj kujtimit të Gertit, nuk dua t’i atribuoj mendime të tjera që nuk pata mundësi t’ia dëgjoja drejtpërdrejt.
Në të njëjtën kohë, nga disa pastorë miq më janë përcjellë rrëfime për interesimin e dy ish-zyrtarëve amerikanë. Njëri prej tyre është aq i lidhur me projektin, sa pretendon se e ka parë atë në formën e një imazhi vegues në ëndërr. Si teolog, nuk kam arsye ta përqesh përjetimin shpirtëror të askujt. Por një ëndërr, sado e sinqertë dhe domethënëse për personin që e ka parë, nuk mund të shndërrohet në themel për ndryshimin e rendit kushtetues të një vendi tjetër.
Të gjitha këto na sjellin te pyetja kryesore: a është krijimi i këtij shteti një nevojë reale e besimtarëve bektashinj apo një projekt i ardhur nga jashtë dhe i përqafuar për vlerën e tij publicitare, me pasoja të mundshme edhe mbi marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare të shqiptarëve në Ballkan?
Në Lindje dhe në Perëndim ka ish-zyrtarë që e shohin veten si bartës të ideve të mëdha, por pasojat e këtyre ideve nuk do t’i mbajnë ata. Ndërkohë, në një pjesë të jetës sonë publike ekziston prirja për t’u dhënë autoritet të tepruar ideve që vijnë nga zyrtarë ose ish-zyrtarë të huaj. Ky nuk është respekt, por heqje dorë nga gjykimi ynë. Për më tepër, politikanët në Shqipëri shpesh mjaftohen duke numëruar pikët që mund të fitojnë ose humbasin, pa matur gjurmët afatgjata që vendimet e tyre mund të lënë mbi shoqërinë dhe fenë.
Të gjithë e dimë se Kryeministri ynë tërhiqet nga simbolika e fortë dhe nga projektet që prodhojnë vëmendje ndërkombëtare. Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe një prej dobësive të tij në ushtrimin e lidershipit: ai priret nganjëherë t’u japë bindjeve dhe përfytyrimeve personale peshën e të vërtetave politike, përpara se ato t’i nënshtrohen një procesi të plotë konsultimi dhe diskutimi. Por shoqëria nuk është instalacion artistik dhe shteti nuk është skenografi; pas çdo vendimi qëndrojnë qytetarë realë, kujtime historike, bashkësi fetare dhe të drejta kushtetuese.
Pikërisht për këtë arsye, shteti nuk duhet të krijojë përshtypjen se ekziston një Islam më i pranueshëm dhe një tjetër që vetëm tolerohet. Bektashizmi është një traditë e lindur dhe e zhvilluar brenda historisë së Islamit, me veçoritë e veta shpirtërore dhe rituale. Bektashinjtë dhe myslimanët sunitë besojnë në të njëjtin Zot dhe ndjekin të njëjtin Profet, megjithëse kanë përvoja dhe mënyra të ndryshme në rrugëtimin e tyre shpirtëror. Kjo shumëllojshmëri duhet respektuar dhe jo përdorur për të ngritur njërën traditë kundër tjetrës.
Prandaj, problemi nuk qëndron te mënyra se si bektashinjtë e përshkruajnë traditën e tyre, por tek individët e papërgjegjshëm apo politikanët e nxituar që mundohen ta paraqesin traditën bektashiane si një formë më të pranueshme, më moderne ose politikisht më të përshtatshme të Islamit, duke i vendosur në të njëjtën kohë myslimanët shqiptarë sunitë tradicionalë nën lupën e së djathtës ekstreme evropiane. Një qasje e tillë është e padrejtë për të dyja traditat dhe përbën fyerje ndaj vetë shoqërisë shqiptare.
Myslimanët sunitë kanë qenë dhe janë ndër kontribuuesit kryesorë në shtetformimin modern shqiptar, krahas bektashinjve, të krishterëve dhe shqiptarëve të bindjeve të tjera. Ata nuk kanë nevojë ta justifikojnë përkatësinë e tyre përpara askujt dhe as të maten me standarde që nuk zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj komuniteteve të tjera.
Kjo bëhet edhe më e qartë kur kujtojmë se, gjatë gati gjysmë shekulli nën regjimin komunist, myslimanët sunitë përjetuan shkatërrimin e institucioneve, mbylljen e xhamive, si dhe burgosjen, internimin dhe ekzekutimin e shumë klerikëve. Të njëjtin kalvar përjetuan edhe klerikët dhe besimtarët bektashinj.
Pas këtij kalvari, Haxhi Hafiz Sabri Koçi punoi për ringritjen e jetës fetare myslimane pa e ndarë atë nga përgjegjësia ndaj atdheut, ndërsa Haxhi Dede Reshat Bardhi e mbajti gjallë bektashizmin gjatë viteve të ndalimit të fesë dhe e ringriti Kryegjyshatën Botërore si institucion shpirtëror brenda Shqipërisë. Shembulli i tyre dëshmon se besimi mund të ringrihet dhe të fitojë njohje ndërkombëtare pa krijuar kufij të rinj shtetërorë.
Rrjedhimisht, nëse synimi është forcimi i Komunitetit Bektashian, rruga është më e thjeshtë: krijimi i një qendre akademike ndërkombëtare, restaurimi i teqeve, dixhitalizimi i dorëshkrimeve, zgjidhja e çështjeve të pronësisë dhe administrimi transparent i pasurive. Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të jetë qendra botërore e bektashizmit pa krijuar një sovranitet të ri brenda territorit të saj.
Bektashizmi duhet të mbështetet, institucionet e tij duhet të fuqizohen dhe Kryegjyshata Botërore duhet të ketë hapësirën e nevojshme për të ushtruar misionin e saj. Por kjo duhet të realizohet brenda Republikës së Shqipërisë, në respekt të Kushtetutës, interesit kombëtar dhe barazisë ndërmjet bashkësive fetare.
Bektashizmi nuk ka nevojë për një shtet që të jetë i madh. Ndërkohë, Shqipërisë nuk i duhet një sovranitet i ri fetar; i duhet forcimi i shtetit të së drejtës, i kuadrit ligjor për fenë dhe i barazisë për të gjithë.



