Hylja Rexhepi Sulejmani
Abstract
Vitet e fundit ka ndryshuar koncepti për arsimin duke u larguar nga pikëpamja tradicionale e të kuptuarit të arsimit. Kështu, teknologjia ose mjetet teknologjike kanë arritur t’a ndryshojnë mënyrën se si punojmë, mësojmë dhe madje kanë ndryshuar edhe tërë mënyrën e jetesës sonë. Në të kaluarën as që janë njohur dhe diskutuar tema të fushës së teknologjisë siç janë: kompjuterët, laptopët, posta elektronike, aplikacionet, video-konferencat dhe të ngjajshme, mirëpo sot këto terma janë të pashmangshëm ngaqë koha jonë në mënyrëprogresive varet nga këto mjete.
Kur flasim për teknologjinë në arsim, jemi të vetëdijshëm për ndryshimet dhe revolucionin që ka bërë teknologjia digjitale. Ajo ka ndryshuar shumë mënyrën e mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Grupet e interesit që përfitojnë nga teknologjia digjitale janë si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit, si dhe familja, shkolla dhe shoqëria në përgjithësi. Përveç tjerash, ka ndryshuar edhe mënyra e komunikimit mes mësimdhënësit dhe nxënësit, kështu duke u mundësuar një komunikim në kohë reale përmes teknologjive të përparuara arsimore.
Përdorimi i teknologjisë ka për qëllim lehtësimin, përparimin dhe rritjen e efikasitetit të procesit edukativo-arsimor me qëllim që të përfitojnë të dy palët: nxënësit dhe mësimdhënësit.
Fjalët kyçe: teknologjia, mjetet teknologjike, mësimdhënësi, nxënësi
Hyrje
Arsimi është baza dhe themeli i personalitetit të individit dhe si i tillë ai duhet t’i shërbejë atij për qëllime avancimi dhe përmirësimi duke e përgaditur individin për një të ardhme të panjohur, kështu duke e bërë një person më fleksibil me qëllim që t’i përshtatet me lehtësi shoqërisë e cila është gjithnjë në ndryshim e sipër.
Kërkesat e një shoqërie moderne ndryshojnë përgjatë kohës duke u përshtatur me tendencat e fundit bashkëkohore, me çka edhe nga arsimi kërkohet që të ndryshohet mënyra e procesit edukativo-arsimor duke përdorur teknologji të reja, metoda dhe metodologji bashkëkohore në mënyrë që të përaferohet me sistemet e tjera të avancuara evropiane dhe globale.
Në shtetet e zhvilluara, TIK-u është një nga pjesët më të rëndësishme të arsimit i cili zbatohet në masë të madhe në shkolla dhe ato janë bërë pjesë integrale e çdo programi, i përfshieë në kurrikulat e shkollave evropiane kështu duke e ndryshuar rrjedhën e arsimimit nëpër shkolla. Ky hov dhe shpërthim i shpejtëi teknologjive të informacionit erdhi si rezultat i nevojës për ndryshime në sistemin arsimor, veçanërisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut e cila ishte disa hapa pas në këtë drejtim. Sot, implementimi dhe aplikimi i sistemit tëTIK-ut nga shumë vende të ndryshme shihet si pjesë e esencës së arsimit, si element iri dhe i domosdoshëm për progress dhe sukses gjatë procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Qëllimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është të lehtësojë, përmirësojë dhe automatizojë pjesën më të madhe të detyrave të cilat kur do të bëheshin në mënyrë manuale, do të merrnin shumë kohë, ndërsa përmes TIK-ut mundësohet kursimi i kohës, reduktimi i përdorimit të letrës dhe burimeve të tjera që shërbejnë në procesin edukativo-arsimor. Kështu paraqitet përputhja dhe ndërlidhja e teknologjisë digjitale me fushën e arsimit, por ajo takohet dhe bashkëvepron gati se me çdo fushë dhe sferë tjetër të jetës së njeriut.
Është më se e nevojshme dhe madje është domosdoshmëri e kohës që në edukim të inkorporohet dhe integrohet teknologjina digjitale, në mënyrë që edukimi të bëhet më i lehtë, më efikas dhe efektiv, më i qasshëm, mëi thjeshtëdhe mbi të gjitha më cilësor.
- Teknologjia në arsim
Në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ndodhën shumë ndryshime të cilat ndikuan që ekonomia dhe jeta e përditshme të pësojnë transformime jo vetëm në Europë por në të mbarë botën. Një nga ndryshimet qëneve n’a intereson për shtjellim ishte revolucioni teknologjik, përkatësisht paraqitja e internetit dhe teknologjive të reja informatike dhe komunikuese në istemin edukativ-arsimor, gjegjësisht në arsim si kategori shoqërore(Murati R. , 2016, p. 15).
Se ç’ka paraqet teknologjia arsimore është shpjeguar nga shumë autorë kur kanë dhënë definicione për konceptin në fjalë, por një nga definicionet që i përkon hulumtimit tonëështëdefinicioni i dhënë nga SHBA-të sipas të cilit “ Teknologjia arsimore-mësimore është lëmi e cila futet për ta lehtësuar mësimdhënien dhe mësimnxënien, e cila mundëson zhvillimin, organizimin dhe përdorimin e të gjitha burimeve të disponueshme të nxënies, si dhe gjatë organizimit të procesit mësimorë. Ai në fakt përfshinë zhvilimin e sistemeve mësimore, identifikimin e burimeve egzistuese, vënijen në dispozicion të këtyre burimeve, organizimin e procesit të të nxënit, si dhe njerëzit të cilët e realizojnë këtë(Osmani, 2022, p. 9).
Tentativa të vazhdueshme për të futur teknologjinë në arsim dhe për t’i ipajisur mjediset shkollore me infrastrukturë të përshtatshme informatike janë bërë në shumë vende të botës. Përdorimi i teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit gjithnjë e më shumë në të gjitha aspektet e shoqërisë, bën të rëndësishëm futjen e TIK-ut si një lëndë inovative dhe me rëndësi të theksuar. Kjo lëndë nuk përfshinë vetëm mjeshtërinë e aftësive teknike, por edhe kuptueshmërinë për të zbatuar dhe aplikuar këto aftësi në jetën e përditshme. Madje përmes TIK-utnxënësve u jepet mundësia të marrin pjesë dhe të angazhohen në shoqërinë bashkëkohore(Ejupi, 2021, p. 2).
Gati se në çdo vend të Europës teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (TIK) janë inkorporuar në çdo kurrikulë, plan dhe program si metodologji e re e mësimdhënies. Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit kanë ardhur në një kohë shumë të shkurtër si një nga blloqet bazë të ndërtimit të një shoqërie moderne. Shumë vende tani konsiderojnë të kuptuarit e TIK-ut dhe zotërimin e aftësive bazë dhe konceptet e TIK-ut si pjesë e esencës së arsimit, ashtu sikur janw leximi, shkrimi dhe numërimi(Rushiti, 2018, p. 55).
Sipas (Murati X. , Ndryshimi i arsimtarit dhe ndryshimet në shkollë, 2005, p. 41)Rëndësia e teknologjisë sqarohet me vetë faktin se ajo numërohet në faktorët të cilët ndikojnë në ndryshimin e shkollave tradicionale në ato bashkëkohore. Pra, faktorët që nxisin ndryshimin e konceptit të shkollës janë:
- Tipi i ri i nxënësit;
- Teknologjia e re e punës;
- Idetë e reja për mësim dhe të nxënit.
- Ndikimi i TIK-ut në përmirësimin e metodave të procesit edukativo-arsimor
Ndikimi që ka pasur përdorimi i TIK-ut në procesin mësimor është tejet i fuqishëm i cili ka sjellë përmirësimin e metodave të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Krahas metodave tradicionale të mësimdhënies, si shpjegimi, përdorimi i dërrasës së zezë, apo i mjeteve didaktike fizike, si trupa, figura, skema demonstrimesh apo eksperimentesh, etj., sot kjo situatë ka ndryshuar duke shfrytëzuar funksionalitetet që ofron kompjuteri dhe internet dhe e gjithë kjo bëhet për shkak të pasurimit të këtyre metodave dhe për ta bërë mësimin sa më interaktiv dhe tërheqës për nxënësin(Manual trajnimi-“Përdorimi i TIK-ut në procesin e mësimdhënie-nxënies”, 2020, p. 23).
Çka siguron/ofron TIK-u? TIK-u mund të sigurojë resurset dhe kornizat pedagogjike për të ju mundësuar nxënësëve të bëhen efektiv dhe të pavarur. Shembull, programet kompjuterike në dispozicion mund të përshtaten me nivelin e nxënësëve dhe pastaj vendosin detyrat e përshtatshme si dhe vërejtjet për performancën. Përdorimi racional, mund të ju ndihmoj nxënësve për rezultate më të mira. Kur lëndët e përfshira në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) janë mësuar mirë, kanë treguar rritjen e shkallës së kuptueshmërisë dhe të arriturave të nxënësëve në lëndët përkatëse. Kjo për arsye se implementimi dhe zbatimi TIK-ut ka për qëllim të përmirësojë aftësitë e të menduarit më tepër se sa për zotrimin e softuerëve të veçant(Demelezi, 2017, p. 4).
Një nga përfitimet që sjell përdorimi i TIK-ut është fakti se nëse ai integrohet në detyrat e shtëpisë, atëherë bëhet aktivizimi i drejtpërdrejtë dhe i pavarur i nxënësve për përforcimin e lëndës mësimore pa mbikëqyrje nga ana e mësimdhënësit. Roli që ka përdorimi i teknologjisë për detyrat e shtëpisë është shumë i rëndësishëm, sepse përmes kësaj nxënësi jo vetëm se bën zgjidhjen e problemit me detyrat duke përdorur librat, por nga ana tjetër ai mësohet të hulumtojë burime të ndryshme në internet kështu duke i zgjeruar njohuritë për një çështje apo lëndë të caktuar(Mexhuani, 2014, p. 36). Përveç përfitimeve të lartëpërmendura, përdorimi i TIK-ut ka aftësi të transformojë natyrën dhe procesin e ambientit të të mësuarit dhe mundëson sjelljen e një kulture të re të të mësuarit. Mjedisi i mbështetur nga TIK-u ka sjell interaksion, fleksibilitet dhe komoditet. Për sa i përket përfitimeve për nxënësit, ai iu mundëson hapsirë për tu zgjeruar, transformuar dhe shkëmbyer ide dhe informacione në mënyra dhe forma të ndryshme të komunikimit. Kjo u ndihmon atyre të ndajnë burimet e përbashkëta dhe hapsirat mësimore, nxitjen e mësimit me nxënësin në qendër, parimet bashkpunuese të të mësuarit, rritjen e mendimit kritik, të meduarit kreativ dhe zgjidhjen e problemeve të shkathtësisë(Demelezi, 2017, p. 7).
Rrjedhimisht mund të konstatojmë se duke përdorur efektivisht teknologjitë e reja që mbështesin procesin e të menduarit të nxënësit me efikasitet, përqëndrimi i nxënësit në mësim rritet dhe forcohet, përmirësohet të kuptuarit dhe përmbajtja ose mësimi qëndron më gjatë në memorien e nxënësit. Duke u mbështetur në këtë arsyetim, është synuar t`i kthejmë klasat tradicionale në klasa të konceptuara mbi bazën e teknologjisë. Ky proces kërkon që mësuesit të pajisen me aftësitë e duhura teknologjike dhe të mësojnë të përdorin mjetet e reja teknologjike që mbështesin procesin e mësimdhënies te nxënësit dhe progresin e tyre.
- E ardhmja e edukimit bazuar në teknologjinë digjitale
Teknologjia ka transformuar pothuajse çdo aspekt të jetës sonë, dhe tani duket se sistemet arsimore në të gjithë botën pritet të përditësohet. Edukatorët po shfrytëzojnë revolucionin digjital dhe po përdorin teknologji të reja për të ndihmuar nxënësit të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Megjithëse disa mund ta shohin teknologjinë si të përhapur, po për brezat e rinj, ajo është gjithnjë e pranishme(Ejupi, 2021, p. 24).Teknologjia dhe mjetet teknologjike janë bërë pjesë e edukimit në shkolla dhe synimi është të përdorim teknologjinë në klasa si një mjet që zhvillon dhe nxit më tej procesin e të mësuarit. Nxënësit, nga përdorimi i këtyre mjeteve të reja teknologjike kanë përfituar aftësi kompjuterike, aftësi të cilat do të mund t`i përdorin në të ardhmen në vendet e tyre të punës. Shkollat në sisemin arsimor shqiptar kanë krijuar një infrastrukturë teknologjike, e cila optimizon integrimin e teknologjisë në procesin edukativ(Hajdari, 2019, p. 4).E ardhmja gjithnjë e më tepër fokusohet në teknologjinë digjitale që përdoret nëpër shkolla për shkak se përmes përdorimit të TIK-ut, shumë fusha në mënyrë të lehtë lidhen dhe bashkëveprojnë me të. Lidhja e TIK-ut me fushat e tjera pasuron situatat e mësimit, në të cilat nxënësi zhvillon kompetencat e tij. Përdorimi i teknologjisë në lëndët e tjera i ndihmon nxënësit të përvetësojë më mirë dhe më lehtë materialet mësimore duke i bërë ato më të kuptueshme.Përdorimi i TIK-ut duhet të shihet si një mjet që i ndihmon nxënësit të përqëndrohen më gjatë në orën mësimore që zhvillohet në klasë, pasi që informacioni mund të transmetohet në forma të ndryshme audio-vizive(Programi i lëndës së TIK-ut, 2014, p. 12).
Nga studimet e ndryshme marrim përshtypje se përdorimi i duhur i teknologjisë mund të katalizojë ndryshimet paradigmatike në përmbajtje dhe pedagogji që janë në thelb të reformës arsimore në shekullin e 21-të. Kur përdorimi dhe zbatimi i TIK-ut bëhet në mënyrën e duhur, atëherë ai ka aftësi të nxisë përvetësimin e njohurive dhe aftësive nga ana e nxënësve të cilat njohuri do t’i shërbejnë atijëgjatë gjithë jetës. Kur kompjuterët të aplikohen siç duhet mund të mundësojnë mënyra të reja të mësimdhënies dhe të nxënit në procesin e mësimdhënies, shumë më mirë se më parë. Këto mënyra të reja të mësimdhënies ndryshojnë rolin e mësuesit si lëndë qendrore në procesin edukativo-arsimor duke e vendosur nxënësin në pozitën e tij si subjekt(Gjorgjeva & Kirova, 2011, p. 201). Pozita e nxënësit si subjekt është shumë e rëndësishme dhe kjo pozitë në mësim posedon një dimension të gjërë sepse me këtë nënkuptohet një inkuadrim, ndikim konkret, i drejtpërdrejtë dhe direkt i nxënësit në rrjedhën e mësimit(Murati X. , Organizimi i mësimit, 2007, p. 12).
Konkluzione dhe Rekomandime
Digjitalizimi në përgjithësi e ka detyruar edhe arsimin të fokusohet dhe të zbatojë metoda të reja të edukimit në procesin edukativo-arsimor, kështu duke vendosur në plan të parë përdorimin e teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit në kurrikulat dhe programet e shkollave në tërësi. Ajo që mund të konstatohet është fakti se nxënësve ose gjeneratave të reja u pëlqejnë më shumë orët e mësimit të shoqëruara me mjetet teknologjike, për shkak të atraktivitetit dhe efektivitetit që përcjellin këto pajisje teknologjike. Pamjet vizuele e bëjnë më të lehtë dhe më konkrete procesin e të nxënit dhe përveç kësaj materiali mësimor qëndron më gjatë në memorien e nxënësit.
Përtej dëshirës për përparim dhe avancim në fushën e teknologjisë nga ana e shkollave të cilat investojnë në këtë drejtim për t’a ndihmuar aktivitetin pedagogjik, ende ekzistojnë probleme në vetë procesin e edukimit dhe arsimimit të cilat probleme e zbehin ndoshta rëndësinë e këtij inovacioni në ditët e sotme. Andaj, është e nevojshme që të bëhen ndryshime, trajnime dhe kurse adekuate për zbatim të mirëfilltë të TIK-ut në institucionet arsimore dhe t’u jepet zgjidhje problemeve që e ngadalësojnë dhe përkeqësojnë procesin në fjalë. Edhe pse nëpër shkolla përdoren kompjuter ose teknologji të tjera të ngjajshme, kjo nuk nënkupton që shkollat duhet të shihen vetëm si objekte, por ato përfaqësojnë mjedise në të cilat realizohet procesi i mësimdhënies dhe nxënies. Para së gjithash mësuesit duhet të dinë të përdorin pajisjet teknologjike me qëllim që informacioni që e përçojnë tek nxënësit të jetë më i qartë dhe pa pengesa. Digjitalizimi ose teknologjia nuk ka për qëllim të largojë nevojën për mësues, por ajo paraqet një urë lidhëse dhe komunikuese mes nxënësit dhe mësuesit.Me fjalë të tjera, shkollat ose sistemi i arsimit duhet të ofrojë mundësi të shpeshta për zhvillimin e vazhdueshëm profesional në mënyrë që mësuesit të përmirësojnë njohuritë e tyre dhe të jenë sa më afër përparimit teknologjik, të ecin në hap me kohën dhe t’i përditësojnë njohuritë e veta konfor kërkesave bashkëkohore.
References
Demelezi, K. (2017). IMPLEMENTIMI I TIK NË SHKOLLA FILLORE DHE TË MESME.
Ejupi, B. (2021). E ARDHMJA E EDUKIMIT DHE TEKNOLOGJITË DIGJITALE. Prishtinë.
Gjorgjeva, E. P., & Kirova, S. (2011). Information-Communication Technologies in Teaching (Prerequisites and Perspectives). Technology, Informatics and Education-For learning and knowledge society.
Hajdari, B. (2019). INTERNETI DHE TEKNOLOGJIA NË MËSIMDHËNIE. Journal of Advance Research in Business Management and Accounting.
Manual trajnimi-“Përdorimi i TIK-ut në procesin e mësimdhënie-nxënies”. (2020). UNICEF.
Mexhuani, A. (2014). INTEGRIMI I TEKNOLOGJISË INFORMATIVE TË KOMUNIKIMIT NË MËSIMDHËNIE DHE NXËNIE. Prishtinë: Instituti Pedagogjik i Kosovës.
Murati, R. (2016). Demokratizimi i sistemit edukativ-arsimor në Republikën e Maqedonisë. Tetovë.
Murati, X. (2005). Ndryshimi i arsimtarit dhe ndryshimet në shkollë. Tetovë.
Murati, X. (2007). Organizimi i mësimit. Tetovë.
Osmani, F. (2022). TEKNOLOGJIA MËSIMORE-CIKLI I DYTË I STUDIMEVE TË MAGJISTRATURËS-Maketë për përdorim intern.
(2014). Programi i lëndës së TIK-ut. MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT-SHQIPËRI.
Rushiti, A. (2018). NEVOJAT PËR TEKNOLOGJI INOVATIVE NË ARSIM. CENTRUM 9.