Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot zhvilloi një takim pune me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe gjyqtaren Ana Pavllovska-Daneva.
Takimi paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e mëtejshëm të dialogut institucional dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushat me rëndësi për forcimin e sundimit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe avancimin e reformave në drejtësi në përputhje me standardet evropiane.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e Gjykatës Kushtetuese si garantuesi më i lartë i kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, si dhe si një shtyllë thelbësore e sundimit të së drejtës. Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë iu kushtua respektimit dhe zbatimit të vazhdueshëm dhe në kohë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si detyrim që buron nga rendi kushtetues, por edhe si parakusht për sigurinë juridike, besimin e qytetarëve në institucione dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të tyre.
Bashkëbiseduesit theksuan nevojën për një dialog institucional të vazhdueshëm dhe të hapur, të bazuar në respektimin e kompetencave kushtetuese, pavarësinë e institucioneve dhe përgjegjësinë e përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës.
Në takim u konfirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e mekanizmave të koordinimit dhe bashkëpunimit në procesin e reformave në drejtësi dhe integrimit evropian, me qëllim ndërtimin e një sistemi juridik transparent, të pavarur, efikas dhe të përgjegjshëm, në të cilin të drejtat dhe liritë e njeriut janë në qendër të veprimit institucional.
Ministria e Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese mbeten të përkushtuara ndaj një dialogu institucional konstruktiv dhe një marrëdhënieje partneriteti, në kuadër të kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes evropiane të shtetit.



