Krimet mjedisore në Elbasan përsëriten me një frekuencë të frikshme, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e rënda shëndetësore. Skandali i radhës ka në qendër kompaninë turke Albchrome, më saktë uzinën e saj të Ferrokromit në Elbasan.
Pak muaj më parë, inspektorët e mjedisit ndërhynë me urgjencë në dy vatra zjarri pranë uzinës. Por kur shkuan atje zbuluan 318 tonë pluhur toksik industrial; ky material ishte ruajtur prej muajsh në fabrikën e kromit “AlbChrome”, pa pasur asnjë kontratë për trajtimin apo asgjësimin e sigurt të tij.
Objekti, në pronësi të grupit turk “Yildirim”, u mbyll përkohësisht, por mbetjet toksike vazhdojnë të jenë aty të paasgjësuara.
Ky është i fundit në një varg katastrofash që kanë goditur një nga qytetet industriale më të rrënuara të Evropës, i cili shpesh mbulohet nga tymi vdekjeprurës si pasojë e zjarreve të ngjashme.
Rama inauguroi filtrin
Në maj të vitit 2024, Edi Rama vizitoi uzinën e Ferrokromit të Albchrome në Elbasan, me rastin e vendosjes së sistemit të ri të filtrimit. Kryeministri e cilësoi investimin 2 milionë euro për filtrin e ri si një arritje të madhe.
“Ky investim është i konsiderueshëm, për një element që në pamje të parë. Transformimi po bëhet për kushte më të mira për punëtorët. Sistemi i filtrimit është 2 milionë euro investim. I thashë zotit Ilirim që ne do të vijmë për ta kremtuar këtë fakt që është i mirëpritur për komunitetin, nga institucionet e shtetit, që është një betejë që do e fitojmë të gjithë bashkë. Kjo duke arritur të ndërtojmë urat e dialogut”,” tha Rama.
Investimi që Rama përuroi me bujë quhet dedust. Ky është një sistem filtrimi, që thith ajrin e ndotur, ndan pluhurin nga ajri përmes filtrave dhe nxjerr jashtë vetëm ajrin e pastruar. Por procesi i dedustimit në një uzinë ferrokromi lë mbetje voluminoze dhe tejet të rrezikshme për mjedisin.
Kur filtrat e ajrit kapin tymin dhe pluhurin që çlirohet nga furrat elektrike me hark gjatë shkrirjes së kromit, ky pluhur grumbullohet në hinkat e sistemit. Kjo mbetje në gjuhën teknike quhet Pluhur i Oxhakut (Ferrochrome Dust).
Që nga vendosja e filtrit, i gjithë pluhuri toksi i prodhuar nga Uzina e Ferrokromit ishte vendosur në thasë në një ambient të hapur pranë saj. Albchrome nuk ka asnjë kontratë për asgjësimin e sigurtë të tyre, duke i lënë pa trajtim në shkelje të ligjit.
Kapitali ka mësuar se Agjencia e Mjedisit e gjobiti Albchrome me një gjobë prej 200 mijë dollarësh. Por pavarësisht gjobës, problemi është aty si prova flagrante e një krimi të rëndë.



