Një fëmijë është sulmuar nga një ujk mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Brod të Shtërpcës.
Lidhur me rastin ka dal me njoftim QKUK ku kanë treguar se fëmija ka lëndime në gjoks dhe shpinë.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton se më datë 27.08.2025, në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, komuna e Shtërpcës, me lëndime në gjoks dhe shpinë. Sipas familjarëve, fëmija është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë”, thuhet në njoftim.
Gjendja e fëmijës është stabile.
“Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare. Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile. Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës. Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë”, thuhet aty.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha se fëmija është i moshës 5 vjeç.
Sipas tij, pas sulmit, fëmija është dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente të Ferizajt dhe më pas është transportuar për trajtim në Prishtinë.