Sot do të mblidhen sërish deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 51-në herë në tentativë për konstituimin e legjislativit, gjersa kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i afatit kushtetues, ku Gjykata Kushtetuese më 26 qershor i kishte dhënë 30 ditë për përfundimin e seancës konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa partitë tjerë nuk po e shohin këtë emër si unifikues.
Po ashtu, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka vënë në votim formimin e një Komisioni zgjedhor që do të mundësonte votim të fshehtë për kreun e Kuvendit, proces ky që po ashtu nuk po merr mbështetje nga partitë tjera.
Ngërçi politik vazhdon tash e disa muaj, gjersa qytetarët për zgjedhjet parlamentare iu drejtuan kutive të votimit më 9 shkurt 2025. Që nga atëherë ende nuk ka institucione të reja të formuara nga ato zgjedhje.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës.
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues, që i bie 26 korrik 2025. /Telegrafi/