Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës kundër ish-Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, duke theksuar se ligji dhe vota janë ato që dënojnë të korruptuarit e pushtetit.
Bajrami rikujtoi mbështetjen që partia në pushtet i kishte dhënë Krasniqit, duke përmendur se ky mbrojtje po vazhdon edhe për Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.
“A ju kujtohet kur Kryeministri dhe të tjerë nga LVV garantonin për Nagip Krasniqin, ndërsa buxheti i shtetit dëmtohej me mbi 3.7 milionë euro? Ai kishte vendosur të tregtonte energji me një kompani të palicensuar, në kundërshtim me ligjin, ZRRE-në dhe zyrën ligjore të KEK-ut,” ka thënë Bajrami.
Ajo shtoi se ashtu siç u mbrojt Krasniqi, po mbrohet edhe Berishaj, ndërsa të korruptuarit e afërt me pushtetin po mbrohen me çdo kusht.
“Kjo është arsyeja pse është jashtëzakonisht e rëndësishme të ruhet pavarësia e organeve të drejtësisë, në mënyrë që të korruptuarit dhe kriminelët të dënohen, pavarësisht lidhjeve të tyre me pushtetin,” theksoi ajo.
Bajrami gjithashtu vuri në dukje se, sipas Prokurorisë, vetëm një kontratë e KEK-ut ka dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi 3.7 milionë euro, ndërsa ministrat e Kryeministrit Albin Kurti kanë nënshkruar deri tani mbi 900 kontrata të tjera sekrete me vlerë prej 240 milionë eurosh.
Ajo theksoi se këto kontrata janë burim i korrupsionit dhe duhet të hetohen nga organet e hetuesisë./Telegrafi/