Krenar LLOGA
Zotëria i nderuar në foto është z. Rosario Petta, kryetar i Komunës së Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve) në Sicily, Itali. Edhe pse kanë kaluar shekuj nga koha e shpërnguljeve pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që nga viti 1600 aty është hapur shkollë ku mësohej edhe gjuha shqipe.
Komuna përdor dokumente dygjuhëshe dhe tabela rrugore në shqip dhe italisht (Në Itali ka rreth 50 komuna arbëreshe, me prani historike dhe përdorim të gjuhës arbëreshe).
Në Maqedoninë tonë, edhe pse jemi autoktonë dhe të vjetër sa vetë dielli e toka, për arsimim në gjuhën amtare dhe për dygjuhësi është dashur të bëjmë rezistencë, protesta e luftë për të drejta, dhe të japim dëshmorë. Është absurd i llojit të vet që 1/3 e popullsisë së përgjithshme të RMV-së të kalojë nëpër sfida, përçmime dhe peripeci institucionale, që në tokën e vet t’i mohohen të drejtat.
Duke qenë autoktonë, në këtë shtet, apo në cilindo formacion shtetëror që ka ekzistuar më parë në këto territore, edhe sikur të kishin jetuar vetëm 10 shqiptarë, do të duhej t’u mundësohej çdo e drejtë në tokën e tyre; e jo më kur bëhet fjalë për 1/3 e popullsisë.
Prandaj, Bashkimi Europian na duhet sa më shpejt dhe sa më afër, sepse vetëm ajo mendësi mund ta zhbejë logjikën e “pronarit ekskluziv” dhe të përjashtimit shovinist, në stilin e së kaluarës serbomadhe.





