E gjitha Maqedonia u çua në këmbë, pas spotit të rap këngëtarit nga Kosova Don Xhoni, i cili disa sekonda të spotit i ka të filmuara në kompleksin “Makedonium”, në Krushevë. Dy ditë radhazi, kanë vluar artikujt e mediave sociale me tituj që theksonin prejardhjen e këngëtarit: “Spoti i raperit kosovar i inçizuar në Krushevë hapi debatin: përdorimi i hapsirës historike, art apo keqpërdorim, “Spoti i raperit kosovar i inçizuar në ‘Makedonium’ shkaktoi reagime: kërkohet të publikohet kush e ka lejuar inçizimin”, ”Raperi kosovar inçizon në ‘Makedonim’ – hapsira i është dhënë për 500 euro”.
Kryeministri Hristijan Mickoski që sot do të kërkoj dorëheqjen e drejtorit dhe anëtarët e Bordit Drejtues të Institucionit Kombëtar Muzeu Historik “Krushevë”, nën kompetentë e të cilit ndodhet edhe monumenti “Macedonium”. Madje kryeministri e pa të arsyeshme edhe t’u kërkoj falje qytetarëve për këtë situatë të krijuar.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Do t’i kërkoj Ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni së bashku me anëtarët e Bordit të Drejtorëve, sepse institucione të tilla nuk duhet të jepen me qira dhe të përdoren për qëllime të tilla. U kërkoj ndjesë qytetarëve për lëshimin që u bë. Do të përpiqemi ta parandalojmë që një gjë e tillë të mos ndodhë përsëri në të ardhmen. Pra, sot do të kërkoj që Bordi i Drejtorëve dhe drejtori i atij institucioni kulturor të shkarkohen”.
Ndërsa ministri i Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani paraprakisht në mëngjes tha se rasti është i ndjeshëm, por tha se fillimisht do të shoh aspektet juridike për të vepruar më tej.
Sedat Sulejmani, ministër i Kulturës dhe Turizmit
“Duhet të shohim me shërbimet ligjore se si mund të veprojmë, nëse duhen bërë ndonjë ndryshim ligjor. Këto ambiente kanë të drejtë ligjore për qira, por prapëseprapë, drejtorët duhet të jenë të kujdesshëm kur japin me qira ambiente dhe duhet të dinë se cilat programe do të mbahen dhe me çfarë përmbajtjeje”.
Kërkimet në internet treguan qartë se ky nuk është videoklipi i vetëm i inçizuar në këtë kompleks. Është grupi maqedonas “Next Time” që ka performuar live nga “Makedonium”, pastaj këngëtari Tyze ka inçizuar videoklip. Të njejtin lokalitet e ka shfrytëzuar artistja gjermane Temkina, por edhe artistja sllovene Kukla. Madje janë inçizuar edhe dokumentarë të huaj dhe projekte të tjera. Se hapsira nuk ishte përdorur për herë të parë dhe të vetme e ka konfirmuar edhe drejtori i Muzeut historiK në Krushevë. Ai në një deklaratë me shkrim për mediat mbrëmë tha se nuk është hera e parë që është përdorur kjo hapsirë për qëllime të këtilla dhe që është pëdor me këtë çmim.
Ndërkaq nuk është ende e qartq arsyeja krysore se përse e nxiti komunitetin maqedonas të reagoj me kaq vrull, etnia e raperit, çmimi që kishte paguar ai për qeranë e shfrytëzimit të hapsirës, apo thjeshtë pse ka zgjedhur këtë lokalitet, pamjet e të cilit janë përdorur vetëm disa sekonda, sepse pjesa më e madhe e videoklipit ishte filmuar në krejtësisht tjetër vend.
Ndërkaq, videoklipi i Don Xhonit ka dy muaj që ishte publikuar, ndërsa tek tani ra në sy të opinionit maqedonas.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
The post (VIDEO) Monumenti historik apo prejardhja e reperit?! Spoti i Don Xhonit çon peshë Maqedoninë e Veriut appeared first on TV-SHENJA.


