Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shkarkimin e drejtorit dhe Bordit Drejtues të monumentit kulturor “Makedonium” në Krushevë, pas lejimit të xhirimit të videoklipit të këngës “Sexy Mama” nga një reper nga Kosova.
Sipas informacioneve të publikuara në mediat maqedonase, hapësira e monumentit ishte dhënë me qira për xhirime për shumën prej 500 eurosh.
Mickoski e ka cilësuar rastin si të papranueshëm dhe ka kërkuar nga ministri i Kulturës dhe Turizmit shkarkimin e drejtuesve të institucionit.
“Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni së bashku me Bordin Drejtues, sepse institucionet e tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të tilla”, tha Mickoski.
Ai gjithashtu u kërkoi falje qytetarëve për atë që e cilësoi si lëshim dhe tha se do të ndërmerren masa për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.


