Autoritetet britanike kanë arrestuar disa shtetas shqiptarë, të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore, pasi një jaht luksoz u ndalua në Kanalin Anglez me 20 emigrantë të fshehur në bord.
Jahti dyshohet se kishte nisur udhëtimin nga Bresti, Francë, dhe ishte nisur drejt bregut jugor të Anglisë, me destinacion Newquay.
Ai u ndalua të dielën nga Forcat Kufitare britanike, të cilat gjatë kontrollit zbuluan 20 persona të fshehur nën kuvertë, 19 burra dhe një grua, të gjithë shtetas shqiptarë.
Të gjithë personat janë ndaluar dhe janë në pritje të dëbimit nga Mbretëria e Bashkuar, konfirmoi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike.
Ndër të arrestuarit është edhe Bleda Bega, 44 vjeç, i cili akuzohet për “lehtësim të hyrjes së paligjshme” në territorin britanik. Ai është vendosur në paraburgim dhe do të dalë përpara Gjykatës në Bodmin.
Dy shqiptarë të tjerë janë arrestuar për të njëjtën vepër penale, njëri prej tyre është liruar nga hetimi penal, por mbetet i ndaluar për shkak të qëndrimit të paligjshëm në vend.