Konferenca e kryetarëve rrëzon kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e KAYO-s. Kërkesa vjen pas publikimit në media të përgjimeve për përfshirjen e kompanisë shtetërore në trafik të armëve. Zbardhen detajet nga debati në konferencën e kryetarëve.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se kompania KAYO ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë dhe se çdo shqiptar do të duhet të dijë se si i mori ato para miku i Edi Ramës, Ron Yeffet. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e Arben Ahmetajt publikuar në ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv dhe e konfirmuar edhe nga kompania ku është bërë regjistrimi.
Gazment Bardhi: Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi. E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?!
Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro?
Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit.
Edhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaroi se po kërkohet ngritja e komisionit hetimor për veprimtarinë e një kompanie që nuk ka aktivitet publik. Akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha për veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore.
Jorida Tabaku: Ju mund të sillni këtu gjoja argumente, por ka qenë Kushtetuta ajo që ka përcaktuar se si ngrihet një komision hetimor dhe cili është roli juaj në këtë çështje.
Ne po kërkojmë një komision hetimor për veprimtarinë e një kompanie që nuk ka aktivitet publik. Akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha për veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore.
Unë vij me eksperiencë nga një komision hetimor. Të njëjtin qëndrim keni pasur edhe atëherë, të njëjtat argumente keni sjellë. Por e vërteta është se ai komision ekspozoi një nga skemat më të mëdha korruptive. Çështja e inceneratorëve rezultoi të ishte një nga rastet më të mëdha të korrupsionit.
Prandaj, ne këtu mund të diskutojmë vetëm për objektin e kërkesës që kemi parashtruar, jo për ngritjen e komisionit. Këtë e garanton Kushtetuta. Na e ka dhënë Kushtetuta të drejtën e hetimit parlamentar.
Por mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës.
Kreu i grupti parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me shoqërinë “KAYO” Sh.A. plotëson kriterin formal të numrit të deputetëve firmëtarë, por nuk përmbush kriteret përmbajtësore kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Balla tha se vendimet e Këshillit të Ministrave, krijimi i shoqërive të përbashkëta nga “KAYO” Sh.A., raportimet mediatike apo audiopërgjimet e publikuara nuk përbëjnë në vetvete prova të mjaftueshme për të krijuar një dyshim të arsyeshëm për veprimtari të paligjshme.
Ai argumentoi gjithashtu se tetë pikat e paraqitura në objektin e hetimit kanë natyrë heterogjene, duke përfshirë marrëdhënie kontraktuale, veprimtari prodhuese dhe tregtare në fushën ushtarake, fonde buxhetore, dyshime për trafik armësh dhe detyrime ndaj NATO-s. Sipas tij, një shtrirje e tillë nuk lejon përcaktimin e qartë të kufijve të hetimit dhe nuk përmbush standardin kushtetues për ekzistencën e një çështjeje të veçantë.
Ai ngriti shqetësimin edhe për mundësinë e mbivendosjes së hetimit parlamentar me verifikimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme lidhur me audiopërgjimet e publikuara në media. Sipas Ballës, një situatë e tillë mund të krijojë konflikt kompetencash dhe të cenojë parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.
The post “KAYO i dha 34 mln euro Ron Yeffet për 6 muaj” – PS rrëzon kërkesën e PD për ngritjen e Komisionit Hetimor appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



