Shkruan: Blerim SEJDIU
Javën e kaluar, ishim dëshmitar të ngjarjeve dhe cirkut politik që ndodhi dhe është duke ndodhur me institucionin më të lartë gjyqësor në Maqedoni, me kalanë mbrojtëse të Kushtetutës së një shteti, pra, me Gjykatën Kushtetuese.
Çfar është duke ndodhur me Gjykatën Kushtetuese? Përse mu në këtë periudhë kohore ndodhin këto konteste juridike dhe politike?
Para dy javësh nga një avokat i pushtetit u propozuan deri te Gjykata Kushtetuese ndryshime në Ligjin për falje, sipas të cilave presidentit të shtetit i jepet e drejta që të falë persona me vepra penale në zgjedhje, të pedofilisë, trafikimit me drogë dhe krimeve kundër njerëzimit.
Gjykata Kushtetuese, si kalaja mbrojtëse e kushtetutshmërisë legjislative është duke kontribuar më së shumti për shkatërimin e sistemit gjyqësor dhe juridik në Maqedoni, dhe krejt kjo, në shërbim të pushtetit aktual. Ky institucion, haptazi është i preokupuar të mbrojë “Maliqin” përballë Ligjit.
Gjykata Kushtetuse duke shkelur nenin 68 të Kushtetutës, vendoset në rolin e pushtetit legjislativ duke ia marrë kompetencat këtij të fundit dhe në emër të ligjvënësit vendos për ndryshime të Ligjit për falje, me të cilat ndryshime Presidenti i shtetit do të ketë mundësi t’i falë (edhe pas dënimit eventual të Gjykatës) personat të cilët kanë bërë vepra penale zgjedhore.
Gjykatësit kushtetues duke menduar se Kuvendi i’a kufizon kompetencat Presidentit të shtetit, me këtë vendim i mohohet e drejta kushtetuese Kuvendit që të sjellë ligje.
Me veprimet e fundit jo kushtetuese, Gjykata kushtetuese i hedhi gomat e shpëtimit, me qëllim që t’i shpëtojë pasagjerët e “Titanikut”.
Me këtë veprim Gjykata Kushtetuese i shpallë luftë publike Prokurorisë Speciale, duke dalë në mbrojte të kriminelëve.
Presidenti do të falë të pafalshmit
Me shfuqizimin e ndryshimeve të Ligjit për falje, cenohet rëndë legjitimiteti i institucioneve, veçanërisht Gjykatave. Me shfuqizimin e mundshëm të këtyre ndryshimeve të miratuara në vitin 2009 (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr.12/2009), presidentit të shtetit do t’i mundësohet të falë edhe kryerësit e veprave penale të cilët kanë qenë të dënuar nga shtetet tjera, por që janë shtetas të Maqedonisë dhe dënimin e vuajnë në Maqedoni. Që do të thotë se, për vrasje apo për krime financiare të kryera në një shtet tjetër, nëse dënimin e vuan në vendin tonë, ai ka mundësi të falet nga presidenti.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese parasheh që presidenti mund të falë të dënuar (burgosur) për krime zgjedhore, pedofili, përdhunim, trafikim droge, si dhe krime kundër njerëzimit dhe të drejtave ndërkombëtare, përfshirë gjenocidet dhe krimet e luftës.
Kjo do të thotë se të gjithë ata që kanë votuar me letërnjoftime të rreme, ata të cilët kanë sjellë njerëz nga Shqipëria për të votuar në Maqedoni, të gjitha ata që edhe në të ardhmen do të bëjnë mashtrime zgjedhore, do të mund të falen nga presidenti i shtetit. Presidenti vihet edhe mbi gjykatat.
Dhe, e gjitha kjo ndodhë në momentet kur Prokuroria Speciale publike nisë me procedurat para-hetimore kundër disa funskionarëve të partive në pushtet, të cilët në kohën e zgjedhjeve kanë bërë krime dhe si rezultat i tillë sot janë në pushtet.
Nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni në lidhje me këtë ngjarje u shprehën se: “Me këtë inkurajohen të gjitha ata që kanë bërë mashtrime zgjedhore, këtë ta bëjnë edhe në të ardhmen. Me një vendim të tillë eventual humb kuptimi i zgjedhjeve dhe i kritikave të vazhdueshme nga jashtë, se proceset zgjedhore në Maqedoni nuk janë zhvilluar në përputhje me standardet evropiane“.
Gjithashtu edhe zëdhënësja e Komisionarit për zgjerim të BE-së Maja Kocijançiqit, dha alarmin se ky vendim i mos ndëshkimit të shkelësve, do të ndikont negativisht tek procesi zgjedhor dhe besimi tek qytetarët: “Çdo nismë për mosndëshkimin e shkelësve të procesit zgjedhor, do të jetë në kundërshtim me përpjekjet e vendit dhe komunitetit ndërkombëtar për krijimin e kushteve për zgjedhje të pranueshme dhe kthimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor. Hapi i këtillë do të ishte në kundërshtim me vendimin e Kuvendit dhe të partive politike për formimin e Prokurorisë Speciale, e cila duhet t’i hetojë dyshimet, përfshirë këtu edhe shkeljet në zgjedhjet e kaluara”.
Kompetencat e Ligjit për falje që në vitin 2009 ishin mohuese, sot janë pohuese!
Është për çudi fakti se, në arsyetimin e ndryshimit të Ligjit për falje të vitit 2009, të cilin e ka propozuar tandemi VMRO’DPMNE-BDI, është potencuar se veprat penale të cilat nuk duhet t’iu nënshtrohen faljeve bëhen me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprave të ngjajshme në të ardhmen.
Ky tandem pushtetar, atëherë deklaruan se kanë mbrojtur ndryshimet me arsyetim për preventivë ndaj parregullsive zgjedhore, duke synuar “kufizimin” e të drejtës për amnisti të presidentit të atëhershëm Branko Crvenkovski. Në vitin 2009 Parlamenti me ndryshim të Ligjit për falje ia ka hequr të drejtën presidentit të atëhershëm B.Crvenkovski, me qëllim që ky mos ketë mundësi t’a falë Zoran Zaev-in për një aferë të atëhershme korruptive.
Kurse sot, po kjo garniturë e pushtetit, mundohet që me të gjitha mekanizmat e veta t’ia japë presidentit aktual ata kompetenca, të cilat iu mohuan presidentit të asaj kohe.
Është paradoksale edhe deklarata e kryeministrit të atëhershëm N.Gruevski, i cili pohonte se kufizimi i të drejtës për falje nga presidenti do të forcojë luftën kundër korrupcionit, kurse sot, po ky kryeministër dhe po ky president duan që t’i falin kryerësit e veprave të rënda penale siç janë krimet zgjedhore, pedofilia, përdhunimet, trafikimi me drogë dhe krimet kundër njerëzimit.
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese gjithashtu deklaroi se “Presidenti mund të falë një vepër, por nuk mundet që ai t’i falë të gjith veprat penale, sepse nëse ai do t’a bënte atë, atëherë as Presidenti s’do ishte më president, e as sistemi s’do ishte më sistem.”
Presidenti gjithashtu do t’i mundësohet që në mënyrë kolektive t’i amnistojë të dyshuarit dhe të dënuarit edhe pse kjo kompetencë i takon Kuvendit i cili një gjë të tillë mund t’a bëjë përmes sjelljes së një ligji të caktuar dhe me atë të vendosë për një amnistim të tillë kolektiv, edhe pse kjo zakonisht ndodhë pas krizave të luftës apo krizave tjera.
(Autori është anëtarë i Kryesisë qendrore i Lëvizjes BESA)