Fatmir Bytyqi
Kongresi përfundoi, por nevoja për një kornizë më të gjerë, vlerore-politike, mbeti. Një kornizë që i tejkalon pritjet vetëm për të miratuar një program, për të konfirmuar një drejtim të caktuar politik ose për të dërguar mesazhin se po vazhdojmë më tej.
Të vazhdojmë më tej, por si, drejt kujt, me kë? Kjo është pyetja që kërkon përgjigje nëse të gjithë ne, ose pjesa më e madhe prej nesh nga e cila buron vitaliteti i LSDM-së, jemi të gatshëm të ndryshojmë.
Kongresi ishte një pasqyrë politike në të cilën duhej të shiheshim.
Shumë herë në të kaluarën kemi treguar se dimë shumë bukur të flasim për ndryshime, t’i shkruajmë ato ndryshime në dokumente programore, platforma, komunikata, t’i themi në publik. Shpesh e kemi bërë këtë në një mënyrë shumë të thjeshtë, por ideologjikisht të padurueshme në lehtësinë e saj.
Pozita e tanishme dhe trajektorja politike në të cilën po lëvizim si parti politike kërkon që të ndryshojmë aty ku na dhemb më shumë: në shprehitë tona politike të zbrazura nga vlerat, në gjuhën tonë të varfëruar socialdemokrate, në sjelljen arrogante ndaj qytetarëve, por edhe në raportin tonë individual ndaj përgjegjësisë personale.
Humbjen nuk e kuptoj si gjënë më të rëndë që mund të përjetohet në politikë. Ajo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë drejt një fundi fatal për partitë politike; përkundrazi, mund të jetë fillimi i një vitaliteti të ri, moment kthjellimi, përkatësisht pikë nga e cila partia do të kthehet te autenticiteti i saj dhe do të jetë më e fortë, më modeste, më e hapur dhe më afër njerëzve dhe vlerave ideologjike.
Por humbja bëhet e rrezikshme kur pranohet si një ditë e lënë pas nesh në të kaluarën, ndërkohë që nuk tregohet gatishmëri për rishqyrtimin dhe kuptimin e saj vleror.
Do të thosha, politikisht dhe në aspekt vleror plaket atëherë kur humbja kalon, ndërsa mësimi i saj mbetet i pamësuar. Këtë e them nga një lidhje personale me idenë dhe me njerëzit me të cilët ndër vite kam ndarë edhe fitore, edhe dyshime, edhe shpresa, edhe biseda të vështira. Partia është e gjallë vetëm për aq kohë sa brenda saj ka hapësirë për mendim të sinqertë, për debat të hapur dhe për mendim ndryshe me dinjitet. Kur ajo hapësirë ngushtohet, ngushtohet edhe aftësia për rritje politike.
Kalimi i kohës nuk mjafton për ta merituar sërish besimin. Nuk mjaftojnë tradita, kujtesa partiake për meritat e së kaluarës apo faktet se dikur kemi qenë bartës të proceseve dhe vendimeve të rëndësishme historike për atdheun.
Besimi kthehet vetëm kur qytetarët do të shohin dhe do të njohin se mesazhi që kanë dërguar vërtet ka mbërritur aty ku duhej të ndryshonte diçka.
Dua të jem i sinqertë: problemi ynë nuk është vetëm në atë që humbëm zgjedhjet në vitin 2024 dhe në vitin 2025. Mendoj se burimi i problemit tonë është në atë që ende nuk kemi treguar mjaftueshëm bindshëm se e kemi kuptuar pse i humbëm. Shpenzojmë tepër energji mbi pasojat, pa u përballur me shkaqet e tyre.
Ndoshta dikush do të komentojë se po flas në mënyrë fataliste, por jam i bindur se kërcënimet nuk vijnë vetëm nga kundërshtari politik, nga VMRO-DPMNE, ZNAM, VLEN, BDI apo nuk e di cila parti tjetër. Kërcënimi ekzistencial vjen nga lidhja e humbur me një pjesë të qytetarëve të cilët më nuk na dëgjojnë me besim, sepse lejuam që e djathta të na i diktojë narrativat, temat, ritmin, madje edhe gjuhën me të cilën përpiqemi ta shpjegojmë veten.
Socialdemokracia nuk mund të shpjegohet me fjalor të huaj.
Për grupin tonë të synuar, nëse e përkufizojmë ideologjikisht, e pakuptueshme është gjuha e frikës, rrethimit, mburojave, rojeve, tradhtive të mëdha, sovranizmit të ashpër dhe reflekseve nacional-mbrojtëse. Ndoshta disa mendojnë se në këtë mënyrë bëhemi më të fortë, por unë mendoj se në këtë mënyrë bëhemi të butë si socialdemokratë dhe e humbim veçantinë, dallimin politik. Humbemi në mjegullën politike që e djathta e ka mbjellë në shoqërinë tonë.
Detyra jonë është ndryshe, gjuha jonë është gjuha e dinjitetit, drejtësisë, solidaritetit, besimit, gjithëpërfshirjes. Ky është fjalori socialdemokrat që e përkufizon kulturën politike nga e cila duhet të burojnë qëndrimet dhe vendimet tona.
Kur të fillojmë të flasim në gjuhën tonë politike amtare, atëherë do të kemi vetëdije të zhvilluar se socialdemokracia nuk është vetëm politikë që premton paga më të larta, më shumë shërbime, më shumë kujdes shtetëror. Ndërsa kur të fillojmë edhe të mendojmë në atë gjuhë, atëherë do të ndiejmë nevojën për një qëndrim moral të fortë dhe të artikuluar se njeriu nuk guxon të lihet i vetëm përballë varfërisë, padrejtësisë, sëmundjes, pasigurisë, institucioneve të kapura partiakisht, përballë një tregu që nuk pyet nëse ka dinjitet në punë, por vetëm nëse ka profit. Do të kuptojmë edhe se socialdemokracia nuk kërkon një shtet që nga lart u tregon njerëzve çfarë u duhet. Do ta ndiejmë si të tjetërsuar idenë për një administratë që i evidenton të cenueshmit, i klasifikon të varfrit, i digjitalizon problemet dhe pastaj mendon se e ka zgjidhur padrejtësinë.
Do të vijmë në një moment në të cilin do të kërkojmë që shteti social të zhvillohet si shtet social pjesëmarrës. Shtet që dëgjon, që bashkë me njerëzit krijon politika, në të cilin punëtori, i riu, gruaja, pensionisti, personi me aftësi të kufizuara, prindi i vetëm, bujku, mësuesi, mjeku, njeriu nga një vend i vogël, njeriu që çdo ditë lufton ta kalojë muajin, nuk do të jenë vetëm përdorues të masave apo shërbimeve, por do të ngriten në bartës të barabartë të zërit në krijimin e politikave.
Nuk ka politikë për njerëzit pa njerëzit.
Socialdemokrati gjerman Willy Brandt, njeriu që e rindërtoi demokracinë pas hijeve autoritare dhe ndarjeve, tha: “Të guxojmë për më shumë demokraci.” Për ne sot kjo do të thotë të guxojmë për më shumë dëgjim, më shumë vetëkritikë, më shumë pjesëmarrje dhe më shumë besim te njerëzit.
A jemi kthyer te njerëzit për t’i kuptuar, apo vetëm për t’iu drejtuar?
A i pyesim bashkësitë e ndryshme se çfarë do të thotë përkatësi, apo vetëm përsërisim se jemi për një shoqëri për të gjithë?
Dallimet janë lakmus-test për atë nëse e kemi kuptuar idenë tonë socialdemokrate.
Është larg nga e mjaftueshme që dallimet të jenë pjesë e një programi apo kapitull që do ta lexojmë kur flasim për interkulturalizëm, ndërsa do ta harrojmë kur flasim për ekonomi, arsim, shëndetësi, administratë, kulturë, vetëqeverisje lokale apo drejtësi.
Pranimi i dallimeve është metoda që ndërton kohezionin në shoqëritë heterogjene.
Nëse vërtet besojmë se atdheu ynë, Maqedonia, është shtëpi e përbashkët, atëherë dallimet duhet të njihen në çdo politikë, në çdo qëndrim apo vendim politik, si partiak, ashtu edhe shtetëror. Në atë se si dizajnohet një shërbim publik dhe kush merr shans për punë. Në atë nëse fëmija nga një mjedis rural dhe fëmija nga qendra e qytetit kanë të njëjtën të drejtë për të ardhmen. Në atë nëse gratë trajtohen si resurs ekonomik apo si personalitete të lira me të drejtë për fuqi, autonomi dhe dinjitet. Në atë nëse personat me aftësi të kufizuara marrin mëshirë apo të drejtë. Në atë nëse maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllehët, serbët, boshnjakët, romët dhe të gjithë të tjerët ndihen si pronarë të barabartë të shtetit të përbashkët.
Unë besoj në një shoqëri që nuk do të kërkojë nga askush të heqë dorë nga vetja për të përkitur.
Por kjo kërkon kulturë politike që mund të zhvillohet dhe të marrë jetë vetëm me guximin për të pranuar se dallimet jetohen përmes drejtësisë, barazisë, gjithëpërfshirjes, dukshmërisë, dinjitetit dhe mundësive të barabarta. Por ato duhet së pari të fillojnë të jetohen në partitë politike, që më pas të jetohen edhe nëpër institucionet e shtetit.
Në këtë kontekst, nëse në qasjen ndaj dallimeve mbetemi në të njëjtën trajektore të djathtë, atëherë fjalët tona do të jenë të shumta në numër, ndërsa ndryshimi shumë i vogël. Duke i reduktuar kështu dallimet në vlerë simbolike, e jo në parim që na ndryshon si parti, dhe aq më tepër, jo në vlerë përmes së cilës duhet ta ndryshojmë shoqërinë.
Na duhet ndërgjegje politike. Programet, sloganet, nuk mjaftojnë.
Dy vitet e fundit, qytetarët vazhdimisht na përsërisin se diçka në lidhjen tonë me ta është ndërprerë, se diçka është vendosur mes nesh. Nuk na njohin si entitet politik që dëshiron t’i dëgjojë.
Idenë socialdemokrate ndoshta nuk e refuzojnë, por nuk e njohin gjithmonë në sjelljen tonë.
Dhe nëse këtë nuk e themi hapur edhe pas Kongresit, mes nesh, dhe nëse kjo nuk na ndryshon, atëherë Kongresi rrezikon të mbetet edhe një mundësi e humbur, të cilën do të duhet ta kompensojmë me mesazhe për konsolidim formal dhe unitet.
Na duhet mobilizim moral për rindërtimin e kulturës sonë politike brendapartiake. Për ta arritur këtë, nuk duhet ta pranojmë kritikën si sulm apo vetëkritikën ta shohim si shprehje dobësie.
Besnikëria ndaj partisë nuk do të thotë të heshtësh para gabimeve. Përkundrazi, besnikëria më e madhe ndaj idesë socialdemokrate është të mos lejojmë që ajo të shndërrohet në inerci, shprehi, rreth të mbyllur apo formë politike pa përmbajtje të gjallë.
Unë nuk flas nga distanca ndaj kësaj ideje. Flas nga besnikëria ndaj saj.
Besoj në socialdemokraci që e mbron punën jo vetëm me pagë, por edhe me zërin e punëtorit në vendimmarrje. Besoj në shtet social si bartës të dinjitetit të punëtorit. Besoj në Evropën si disiplinë vlerore të sundimit të së drejtës, të drejtave të punëtorëve, barazisë, solidaritetit dhe respektit ndaj dallimeve. Besoj në tranzicion të gjelbër që nuk do t’i lërë punëtorët të frikësohen nga e ardhmja, por do t’i bëjë partnerë në të. Besoj në institucione që shërbejnë, e jo që sundojnë. Besoj në parti që dëgjon para se të flasë, pranon para se të akuzojë, mëson para se të premtojë dhe ndryshon para se të kërkojë besim.
Por nëse duam që kjo të jetë e vërtetë, duhet ta braktisim politikën e ndryshimit të dukshëm vetëm në sipërfaqe.
Këtë nuk e shkruaj për të dekurajuar këdo qoftë. E shkruaj sepse besoj në një ripërtëritje të vërtetë, e cila do të ndodhë nëse së pari guxojmë të jemi të sinqertë me veten.
Ideja socialdemokrate nuk e humb fuqinë e saj. Mund të dobësohet vetëm politika që do të pushojë së rishqyrtuari dhe së ndryshuari veten në aspekt vleror.
Prandaj pas këtij Kongresi duhet të mbetet shumë më tepër se një program i miratuar. Duhet të mbetet mesazhi se mësimi është kuptuar. Nevojitet vendosmëri që besimin të mos e presim më, por ta meritojmë. Nevojitet të hapemi dhe t’i kthejmë dallimet në themelet e partisë. Nevojitet ta braktisim gjuhën e djathtë dhe sërish të flasim në gjuhën tonë amtare, socialdemokrate.


