Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Zijadin Sela, ka reaguar lidhur me qëndrimet e Parlamentit Evropian për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke e cilësuar këtë si një fitore të rëndësishme për studentët dhe të drejtat gjuhësore të shqiptarëve.
“Kur je në tokën e gjuhës tënde, në gjuhën e pragjeve tona e në të drejtën e gjuhës së të parëve tuaj, por mbi të gjitha kur e don gjuhën e kombin që i përket e je i vendosur deri në fund e nuk heq dorë nga ai/ajo çka je, s’ka se si të ndodhë ndryshe.
Parlamenti Europian e tha qartë:
Provimet shtetërore duhet të jepen në Gjuhën Shqipe! Nuk tha as ligj të ri, as metodologji, as rregullore, as teori e as praktikë. Dhe jo vetëm jurisprudenca, por të gjitha provimet.
Marrëveshja e Ohrit tha të respektohet në ligje dhe frymë! Këtë e tha Parlamenti i një Unioni ku vendi ynë synon të bëhet pjesë, në një kohë kur Qeveria aktuale pos gjuhës, po synon të rrënojë edhe një shtyllë tjetër të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
Çfarë doni më shumë, çfarë doni më qartë se kaq!?
Përgëzime studentëve për këtë fitore të madhe, e për të cilët poashtu Parlamenti Europian ishte decid: Protestat studentore nuk janë as destabilizuese e as të politizuara.
Beteja jonë për gjuhën duhet të vazhdoj po njëjtë, të vendosur, pa kompromis deri në barazinë e tërsishme të Gjuhës Shqipe në Kushtetutë me gjuhën maqedone”, ka shkruar Sela.


