Zinxhiri i njohur i shitjes me pakicë “Tinex” ka kaluar zyrtarisht në pronësi të kompanisë kosovare “Proeks International” me seli në Prishtinë. Përmes këtij transaksioni, “Proeks International” ka marrë kontrollin mbi “Tinex Market” — shoqërinë e sapoformuar përmes së cilës do të vazhdojë veprimtarinë biznesi i shitjes me pakicë i pronarit të deritanishëm, “Tinex-MT”. Në krye të “Tinex Market” është emëruar drejtori i ri Liridon Berisha nga Kosova, i cili merr këtë detyrë pas Kristina Todoroviq-Nikoliq.
Blerja e rrjetit tregtar ka marrë më parë dritën e gjelbër nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës. Më 25 gusht, ky institucion rregullator miratoi përqendrimin tregtar përmes të cilit “Proeks International” fiton kontrollin e plotë mbi “Tinex Market” DOOEL Shkup. Transaksioni përfshin të gjithë rrjetin e supermarketeve që deri më tani menaxhohej nga “Tinex-MT”, ku hyjnë brendet tregtare: “Tinex”, “SuperTinex”, “Tinex Delikates”, “Konto” dhe “Spot”.
“Proeks International” është pjesë e grupit tregtar “Proeks Group”, i cili operon në importin dhe shpërndarjen e mallrave të konsumit të gjerë, sektorin e tregtisë me pakicë, menaxhimin e supermarketeve dhe logjistikë, si dhe në tregtimin, magazinimin dhe shpërndarjen e derivateve të naftës. /SHENJA/



