Drejtoria e Policisë Financiare, në koordinim me Prokurorinë, po kryen një aksion të ri në lidhje me dyshimet për abuzime në Lotarinë Shtetërore. Sipas informacioneve, ish-drejtoresha e financave në Lotarinë Shtetërore është ndaluar, dhe një person tjetër është ndaluar bashkë me të. Dy personat dyshohet se janë përfshirë në përvetësimin e rreth 80 milionë denarëve, dhe dyshimet lidhen me periudhën kur Lotaria Shtetërore drejtohej nga ish-drejtori Përparim Bajrami.
Veprimi i institucioneve kompetente është ende në vazhdim, dhe gjatë ditës priten informacione shtesë rreth rastit dhe veprime të tjera të mundshme të ndërmarra. Ndërkohë, kujtojmë se ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, së bashku me ish-zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi dhe gjashtë persona të tjerë, po përballen me akuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në një tjetër rast që lidhet me Lotarinë Shtetërore.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, dyshohet se i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore prej rreth 596 milionë denarësh. Rasti lidhet me furnizimin e terminaleve të videolotarisë dhe transaksionet financiare që kanë shoqëruar këtë proces.
Gjykimi për këtë rast po vazhdon, ndërsa Prokuroria gjatë seancave të fundit ka paraqitur prova materiale, përfshirë dokumentacion për themelimin e një shoqërie të përbashkët me partner të huaj, vendime qeveritare dhe transaksione financiare të lidhura me blerjen e terminaleve të videolotarisë.
Ndërsa sot, hetimi i ri për dyshimet për përvetësimin e rreth 80 milionë denarëve sjell edhe dy persona të tjerë në fokus të institucioneve hetuese. Detajet për veprimet konkrete për të cilat dyshohen pritet të bëhen të ditura nga Prokuroria dhe Policia Financiare. Anida Murati /SHENJA/



