Koordinatori i LSDM-së në njësinë e tretë zgjedhore, Aco Velkovski, ngre pyetjen nëse pasurinë nga minierat duhet ta ndajnë politikanët dhe koncesionarët, apo një pjesë e saj duhet t’u takojë edhe qytetarëve maqedonas.
Velkovski thekson se nëntoka e vendit përmban bakër, ar, argjend, plumb, zink, nikel, rubin dhe pasuri të tjera minerale, ndërsa pyet se sa nga vlera reale e kësaj pasurie rikthehet te qytetarët.
Ai propozon që minierat shtetërore të menaxhohen nga shteti, pa koncesione, ndërsa një pjesë e fitimit të derdhet në një Fond për Dividendë Publike.
Sipas Velkovskit, në këtë mënyrë çdo qytetar do të ishte përfitues i drejtpërdrejtë i pasurisë kombëtare dhe jo vetëm një vëzhgues.
“Do të kërkojmë dividendë publike për çdo qytetar!”, deklaron Velkovski.
Ai shton se një pjesë e të ardhurave dhe fitimeve nga burimet natyrore duhet t’u kthehet drejtpërdrejt qytetarëve dhe jo të përfundojë në arkat partiake, skemat politike apo vetëm te koncesionarët.
“Por te qytetarët”, thekson Velkovski.
Sipas tij, me menaxhimin e duhur të minierave në pronësi shtetërore, është e mundur që qytetarët të përfitojnë mijëra euro në vit nga pasuria e tyre kombëtare.
“Është koha që qytetari maqedonas të marrë një pjesë të drejtpërdrejtë nga pasuria e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Velkovskit.



