Vetëm për dy vjet, më shumë se 5.600 persona janë privuar nga liria në kuadër të një aksioni operativ i ashtuquajtur “Pastruesi”, të cilin Ministria e Punëve të Brendshme e zbaton që nga shtatori i vitit 2024 në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
Aksioni realizohet përmes Departamentit të Policisë Kriminalistike, në koordinim me Sektorët e Punëve të Brendshme dhe Qendrat Rajonale për Punë Kufitare, ndërsa është i orientuar drejt zbulimit dhe luftimit të krimit të dhunshëm, tregtisë së paligjshme me drogë dhe krimit ndërkufitar.
Që nga fillimi i aksionit e deri më sot, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojne se pjesëtarët e policisë kanë kontrolluar dhe kanë përcaktuar identitetin e 74.229 personave, ndërsa kanë kryer 158.955 kontrolle të personave, automjeteve dhe bagazheve.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDHSME
“Në kuadër të aktiviteteve të ndërmarra, janë privuar nga liria 5.628 persona, janë kryer 1.158 bastisje të shtëpive dhe objekteve të tjera, ndërsa janë paraqitur 1.135 kallëzime penale. Nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve penale, 88 kanë të bëjnë me vepra penale nga fusha e krimit të dhunshëm, ndërsa 1.047 lidhen me tregtinë e paligjshme me drogë”.
Gjatë aksionit janë sekuestruar lloje të ndryshme të lëndëve narkotike, ndër të cilat marihuanë, kokainë, amfetaminë, heroinë, hashash dhe tableta MDMA. Policia ka sekuestruar edhe armë, mjete financiare, disa automjete dhe telefona celularë.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDHSME
“Për një pjesë të autorëve, në përputhje me procedurat ligjore dhe vendimet e organeve kompetente, janë caktuar masa paraburgimi, ndërsa në raste të veçanta janë shqiptuar edhe dënime me burg. Në kuadër të aksionit “Pastruesi” janë parandaluar edhe disa kanale ndërkombëtare të tregtisë së paligjshme me lëndë narkotike, veçanërisht në vendkalimet kufitare Tabanoc, Deve Bair dhe Dojran i Vjetër”.
Nga MPB theksojnë se aksioni do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme përmes masave dhe aktiviteteve të koordinuara dhe kontrolleve të përforcuara në të gjithë territorin e shtetit, me qëllim zbulimin, parandalimin dhe luftimin në kohë të aktiviteteve kriminale.
Samir Mustafa /SHENJA/



