Një fushatë e quajtur “Stop Dirty Data Centres” ka bërë thirrje për mobilizim në mbarë Evropën sot dhe nesër, në shenjë proteste kundër zgjerimit gjithnjë e më të madh të qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale në të gjithë rajonin, transmeton Anadolu.
“Komunitetet lokale po ngrihen për të ndaluar qendrat e ndotura të të dhënave në vendbanimet e tyre. Ne do të bashkohemi dhe do të ushtrojmë të drejtat tona demokratike për të shprehur qëndrimet tona, për t’u tubuar dhe për të protestuar, me qëllim që zyrtarët e zgjedhur të japin llogari”, thuhet në faqen e internetit të fushatës.
Fushata bëri thirrje për një “moratorium të menjëhershëm” për qendrat e mëdha të të dhënave në Evropë.
“Shpërthimi i numrit të qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale në qytetet dhe qytezat tona po shkakton pasoja të cilat nuk mund t’i përballojmë më”, tha grupi.
Fushata theksoi ndikimin që ndërtimi i qendrave të të dhënave ka mbi komunitetet lokale, vendet e punës dhe ekonominë, si dhe mbi krizën klimatike dhe mungesën e ujit.
Organizatorët paralajmëruan për mungesën e banesave, rritjen e faturave të energjisë, zinxhirët toksikë të furnizimit, shtimin e mbikëqyrjes dhe cenimin e privatësisë. Ata paralajmëruan gjithashtu se fuqia e kompanive të mëdha të teknologjisë po minon demokracitë.
“Duke koordinuar veprimet tona, ne dëshmojmë fuqinë që kemi për të ndalur zgjerimin e pakontrolluar të qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale dhe për të parandaluar që demokracia jonë të merret peng nga interesat e industrisë së teknologjisë së madhe”, thuhet më tej në deklaratën e fushatës.
Fushata u bëri thirrje udhëheqësve që të zbatojnë moratoriume në nivel lokal, kombëtar dhe evropian, për të pezulluar ndërtimin e qendrave të të dhënave derisa qytetarët “të vendosin në mënyrë demokratike se çfarë nevojitet për të siguruar që inteligjenca artificiale dhe qendrat e të dhënave t’u shërbejnë njerëzve dhe planetit, e jo lakmisë private”.
Disa protesta janë planifikuar gjatë ditës së premte dhe të shtunë në vende të tilla si Franca, Spanja, Italia, Belgjika, Austria, Kroacia, Polonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Danimarka dhe Finlanda.
MARKETING
<!–


