Fatmir Bytyqi, deputet
“Gjuha shtypëse jo vetëm që përfaqëson dhunë, ajo është dhunë.”
Toni Morrison, fituese e Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1993
Leksikoni, në kuptimin e tij burimor, është një përmbledhje fjalësh përmes të cilave një gjuhë e emërton, e zbulon dhe e përshkruan botën. Ndërsa fjalët nga të cilat ai përbëhet janë shumë më tepër se shenja; ato mbartin brenda vetes vlera, parime, paragjykime, kufij dhe marrëdhënie. Në politikë, pikërisht për këtë arsye, leksikoni mund të vendoset si pikë reference për vlerësimin e karakterit të pushtetit. Para se një politikë të shndërrohet në ligj, buxhet apo vendim institucional, ajo fillimisht shfaqet si fjalor që zbulon të vërtetën për pushtetin: si e kupton fuqinë, si e sheh kundërshtarin, sa e respekton qytetarin dhe nëse në hapësirën publike sjell dinjitet apo përçmim. Prandaj, leksikoni politik është hartë morale e qeverisjes.
Në Maqedoni, VMRO-DPMNE-ja në hapësirën publike sjell një leksikon të vogël, mendërisht të varfër dhe agresiv të papjekurisë demokratike. Nga kryeministri deri te bartësit e funksioneve publike, gjithnjë e më shpesh dëgjojmë një fjalor nënçmimi, çpersonalizimi dhe etiketimi të ashpër. “Tip i frustruar dhe mizogjin”, “goditje në ballë”, “llum”, “brejtës”, “butakë”, krahasime përçmuese ndaj grave në politikë — një mori fjalësh që e zbulojnë (mos)kulturën e brendshme politike të partisë në pushtet.
Në demokraci ka vend për pasion, përplasje, ashpërsi dhe kritikë të fortë. Politika, në formën e saj më të mirë, është hapësirë e ideve të kundërvëna dhe e pyetjeve të vështira. Por ekziston dallim mes ashpërsisë dhe vulgaritetit. Ashpërsia mund të përmbajë cilësi të një instrumenti demokratik, mund të problematizojë me argument një ide të caktuar ose të hapë debat, pa e cenuar atmosferën morale. Përkundrazi, vulgariteti është instinkt autoritar që shpreh brutalitet gjuhësor të drejtuar kah poshtërimi dhe prodhimi i urrejtjes. Mes këtyre dy përcaktimeve vizatohen kufijtë e zgjedhjes politike: nëse fjala publike do të jetë mjet i përballjes së argumentuar të ideve apo armë për zhvlerësimin e njeriut.
Në këtë kontekst njihet edhe zgjedhja gjuhësore e VMRO-DPMNE-së. Kur kryeministri flet lehtësisht me një fjalor të diskualifikimit personal, ndërsa funksionarët e tjerë e ndjekin shembullin e tij verbal, kemi një seri të vazhdueshme, të “normalizuar” fyerjesh, të cilat i sinjalizojnë rrethit se çfarë është e dëshirueshme dhe çfarë do të shpërblehet.
Dikush do të thotë se “kjo është vetëm retorikë”. Pikërisht nga ajo “vetëm” fillon erozioni institucional dhe shoqëror që e shkakton fjala e ashpër. Arsyetimet e vogla bëhen faktor aktiv në krijimin e një dëmi të madh moral. Kufijtë zhvendosen, dinjiteti relativizohet, hapësira publike shndërrohet në skenë ku përçmimi më i zëshëm shpallet si fuqia më e madhe.
Në një atmosferë autoritare, degradimi i gjuhës e lehtëson degradimin e politikës. Fjalët fillojnë të veprojnë si fjala e preferuar e kryeministrit — llum: përsëriten, bëhen zakon, hyjnë në përditshmëri dhe gradualisht e ndryshojnë ndjeshmërinë morale të shoqërisë. Duke lëvizur nëpër këtë shteg politik, arrijmë edhe te momenti i rrezikshëm kur publiku pushon së trondituri, përkatësisht sterilizohet nga ndjeshmëria shoqërore me vlera dhe moral. Gjuha pushon së qeni mjet bisede dhe bëhet vegël për rreshtimin e njerëzve. Kush është “i yni”, kush është “i huaj”, kush guxon të flasë, e kush duhet të shtyhet në hije morale. Në një matricë të tillë politike, kundërshtari ose i ndryshmi nuk përgënjeshtrohet me argument, por stigmatizohet si rrezik.
Pasojat e një leksikoni të tillë politik tashmë ndihen në hapësirën publike. Fyerja kalon gjithnjë e më lehtë si pjesë normale e ditës politike, ndërsa korrozioni verbal përditë e gërryen kulturën politike.
Dëmin e parë e pëson debati. Aty ku duhet të përplasen idetë, përplasen fyerjet. Në vend të vizioneve dhe argumenteve, qytetarët dëgjojnë nënçmime dhe fyerje. E vërteta dhe faktet heshtin, analiza bëhet e mërzitshme, ndërsa fyerja fiton përparësi mediatike, sepse sjell adrenalinë politike. Në këtë mënyrë, debati publik zbret nga niveli i arsyes në një treg diskualifikimesh publike, ku vlen ai që do të lëndojë më zëshëm dikë për shkak të cilësdo prej dallimeve të tij.
Institucionet dhe sistemi janë ata që e ndiejnë plagën e radhës. Fjalori i drejtuar ndaj Këshillit Gjyqësor, deputetëve, mediave, opozitës apo cilitdo zë të pabindur nuk zhduket me mbarimin e fjalimit; ai mbetet si presion, hije dhe paralajmërim. Në këtë atmosferë të krijuar qëllimisht, institucioni respektohet për sa kohë hesht, kritika pranohet për sa kohë nuk e konteston apo nuk e sfidon fuqinë, ndërsa nga çdo funksion publik pritet të vendoset si foltore prej nga dërgohen mesazhe disiplinimi. Institucionalisht dhe formalisht gjithçka ekziston, por në thelb zvogëlohet hapësira për pavarësi, dinjitet dhe rezistencë.
Goditja më e dhimbshme, megjithatë, bie mbi njeriun. Kur njerëzit vazhdimisht reduktohen në etiketa degraduese, politika pushon së njohuri qytetarë me emër, fytyrë, punë, shpresa, frikëra, familje dhe dinjitet. Ajo sheh kategori të përshtatshme për sulm. Përmes një fjalori të tillë, njeriu copëtohet deri në etiketë, ndërsa etiketa pastaj shkelet më lehtë. Në këtë mënyrë, çdo formulim degradues në ligjërimin politik e ngushton masën njerëzore të dinjitetit në hapësirën publike. Një pushtet që sot degradon lehtësisht me fjalë, nesër edhe më lehtë do të degradojë me vendim.
Në atdheun tonë, polarizimi merr peshë dhe kuptim të veçantë. Jetojmë në një shoqëri të ndërlikuar, multietnike dhe institucionalisht të ndjeshme, ku fjalët mund të qetësojnë, por mund edhe të ndezin. Mund të ndërtojnë besim, por mund edhe ta shndërrojnë dallimin në dyshim. Kur përkatësia etnike bëhet aluzion, kur gruaja në politikë poshtërohet sepse flet dhe kur kritiku trajtohet si armik, atëherë hapësira publike gradualisht fillon t’i ngjajë një harte me llogore të vizatuara. Qytetarët nuk ftohen të mendojnë, por të rreshtohen.
Më e kushtueshme, njëkohësisht edhe më e dëmshme në afat të gjatë, është mësimi që e marrin të rinjtë. Një brez që e përjeton politikën si arenë fyerjesh, e jo si shërbim publik, rritet me një përfytyrim të gabuar për fuqinë. Nga maja mëson se gjuha brutale sjell vëmendje, se poshtërimi sjell dukshmëri dhe se përsëritja e fyerjes është dëshmi e lojalitetit. Po dëshmojmë një pedagogji politike që “edukon” breza të rinj me bindjen se për të qenë i fortë duhet të jesh i ashpër.
Në fund, çdo pushtet mbahet mend edhe nga fjalët me të cilat ka qeverisur. Sot VMRO-DPMNE-ja po e ndërton atë kujtim duke shkruar leksikonin e saj të vogël të papjekurisë së madhe politike, i cili në kujtesë do të lërë llum fyerjesh, frike dhe shthurjeje morale.



