Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhitin, se me qëndrimet e tij politike po dëmton interesat dhe përfaqësimin e shqiptarëve.
Në një komunikatë për media të titulluar “Kush e ka kapur Izet Mexhitin?”, BDI ngre një sërë pyetjesh lidhur me motivet e Mexhitit dhe pretendon se ai po hesht për çështje që lidhen me gjuhën shqipe, flamurin, përfaqësimin politik dhe pozitën e shqiptarëve.
“Çfarë e mban peng Izet Mexhitin?”, pyet BDI, duke ngritur edhe pretendimin se ndaj tij mund të ekzistojnë “dosje” në prokurori. Partia nuk paraqet në komunikatë prova konkrete për këto pretendime.
BDI akuzon gjithashtu Mexhitin për “tradhti” ndaj bashkëpunëtorëve të tij të mëparshëm dhe ndaj interesit kombëtar të shqiptarëve, duke e lidhur këtë me qëndrimet e tij të fundit politike.
“Kapja eventuale e një politikani është problem i atij politikani. Por kur për shkak të kapjes së një personi mbahet peng përfaqësimi politik dhe fati i një populli të tërë, atëherë kemi një problem shumë më të madh”, thuhet në komunikatë.
BDI përfundon duke deklaruar se fati i shqiptarëve, sipas saj, nuk mund të varet nga “frika, dosjet apo interesat personale” të Izet Mexhitit.
Pretendimet e paraqitura në komunikatën e BDI-së janë akuza politike dhe nuk shoqërohen me prova apo dokumente që do t’i vërtetonin ato.



